Google ADS

Kurti: BE-ja e SHBA-ja po sillen shumë butë ndaj Serbisë

08:53 | 28 Maj 2024
R J

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë treguar shumë të buta ndaj Serbisë dhe duhet t’ia caktojnë një ultimatum për t’i vënë sanksione Rusisë.

Kryeministri Kurti ka thënë se Serbia duhet të rreshtohet kah Perëndimi në mënyrë që t’i japë Kosovës siguri se është e përkushtuar në normalizim raportesh.

Sipas tij, Brukseli dhe Washintgoni duhet të ndryshojnë qasjen e tyre dhe t’i japin afat kohor Serbisë që t’i vë sanksione Federatës Ruse dhe të ndalë përpjekjet që të ulet në tre ose katër stola.

“Sapo që Serbia t’i vë sanksione Federatës Ruse, atëherë do të ishte një moment kur ata mund të tregojnë se duan të integrohen në BE, dhe Serbia pa Rusinë nuk mund ta kërcënojë sigurinë e kontinentit. Atëherë do të mund të besoja se në thelb duan paqe. Dhe SHBA-ja e BE-ja nuk do të përpiqeshin që t’i qetësonin më”, ka thënë Kurti në një intervistë për “Financial Times”.

Kurti ka refuzuar të tregojë nëse Policia e Kosovës do t’i tërheqë njësitë speciale nga veriu, por ka insistuar se ankesat e serbëve për praninë e tyre po pakësohen.

Kryemikistri Kurti ka pranuar se nganjëherë ka dallime” me aleatët euroamerikanë kur bëhet fjalë për strategjitë, operimet dhe taktikat në terren në njërën anë, dhe kur bëhet fjalë për raportet me Serbinë, por jo mbi vlerat dhe parimet./rtk

Të ngjashme