Pas mbledhjes së përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me homologun e tij, Edi Rama, bashkëbiseduan me përfaqësuesit e kompanive të ndryshme të biznesit nga Kosova dhe Shqipëria, lidhur me mundësitë e e rritjes së bashkëpunimit.
Kurti tha se bashkëbisedimi i sotëm është i domosdoshëm që vizionet dhe programet e të dy Qeverive, t’i përkthejmë në veprime sa më konkrete ashtu që ato të jenë efektive dhe frytdhënëse, shkruan arbresh.info.
Teksa bëri një krahasim të shifrave bëri një krahasim të qarkullimit të mallrave në vitin 2010 me vitin 2020, pra me një dekadë në mes dallim, kryeministri Kurti tha se vërehet qartë tendenca e rritjes së qarkullimit të mallrave mes dy vendeve.
“Dy konkluzione të rëndësishme duhet bërë nga këto shifra. Së pari, një meritë të madhe për këtë rritje të qarkullimit tregtar duhet t’ua atribuojmë vetë bizneseve tona që, përkundër vështirësive, kanë arritur të kenë rritje të vazhdueshme në dy tregjet përkatëse. Dhe, së dyti, nuk duhet të kënaqemi me kaq”, tha Kurti.
Ai tha se meritë të madhe kanë vetë prodhuesit dhe eksportuesit tanë sepse përkundër faktit që Kosova dhe Shqipëria janë anëtare të marrëveshjes rajonale të tregtisë së lirë CEFTA, rastet e bllokimit të lëvizjes së lirë të mallrave dhe prania e barrierave të ndryshme jo-tarifore nuk kanë qenë të pakta.
Barrierat tregtare mjaft shpesh janë aplikuar nga autoritetet shqiptare si ndaj produkteve bujqësore ashtu edhe ndaj atyre industriale të eksportuara nga Kosova në Shqipëri.
Kryeministri theksoi nevojën për zbatimin e disa politikave që stimulojnë zhvillimin e industrive përpunuese, me theks tek ajo e ushqimit; komplementojnë nevojat energjetike të dy vendeve sepse edhe natyrën e kemi përplotësuese, nxisin bashkëpunimin në bujqësi, mbështesin inovacionin dhe shërbimet në fushën e Teknologjisë së Informacionit; etj.
Mbetet gatishmëria dhe vullneti institucional për ta ndihmuar tutje zhvillimin e dy ekonomive tona, tha ai duke u shprehur i sigurt se vullneti nuk mungon nga të dy qeveritë./arbresh.info/
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në Forumin e Biznesit Kosovë – Shqipëri:
I nderuari Kryeministër z. Rama,
Të nderuara ministre Ibrahimaj dhe Hajdari,
Anëtarë të tjerë të dy qeverive tona,
Të nderuar përfaqësues të kompanive prodhuese dhe eksportuese shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova,
E nderuara znj. Musostepa
Mysafirë të respektuar,
Mirë se po takohemi, si dy Qeveri, bashkë me përfaqësues të bizneseve, për ta vlerësuar bashkëpunimin tonë deri më tani dhe për të shqyrtuar mundësitë për shtigje të reja. Më lejoni edhe njëherë ta falënderoj Qeverinë e Shqipërisë për organizimin e këtij takimi që konsideroj se është i një rëndësie të veçantë.
Të dy vendet tona kanë kaluar nëpër tranzicione sfiduese edhe në aspektin politik por edhe ekonomik. Ngjashëm si në fizikë, edhe në tregtinë ndërkombëtare, graviteti luan një rol tejet të rëndësishëm të një force tërheqëse që, për dallim nga fizika, në ekonomi është horizontale. Lidhshmëria jonë historike, kulturore e gjuhësore janë nyjet tona të forta e premtuese për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik.
Kosova ka një deficit të lartë tregtar, dhe për këtë në programin tonë qeverisës jemi fokusuar në ndërtimin e politikave industriale, rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e infrastrukturës fizike dhe atë të investimeve, dhe mbështetjen e targetuar për bizneset.
Por ne e dimë që ekonomia jonë është shumë e ndikuar nga tregtia e jashtme, gjë që na bën tejet të interesuar për përmirësimin e vazhdueshëm të raporteve tregtare me vendet nga importojmë dhe vendet ku eksportojmë. E padyshim që Shqipëria është një nga këto vende – vend me një rëndësi të posaçme.
Prandaj, bashkëbisedimi ynë si ky sot, është i domosdoshëm që vizionet dhe programet e të dy Qeverive, t’i përkthejmë në veprime sa më konkrete ashtu që ato të jenë efektive dhe frytdhënëse.
Rregullimi i tregtisë së lirë mes dy vendeve tona daton qysh nga viti 2003, kur Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale të tregtisë së lirë.
Nëse i shohim shifrat nga e kaluara, vërehet qartë tendenca e rritjes së qarkullimit të mallrave mes dy vendeve. Për këtë mund ta marrim shembull dekadën e fundit. Konkretisht, nëse krahasojmë qarkullimin e mallrave në vitin 2010 me vitin 2020, pra me një dekadë në mes dallim, shohim se kemi pasur rritje prej 200%. Eksportet e Kosovës drejt Shqipërisë janë rritur për 257%, ndërkaq importet për 174%.
Në vitin 2010, vetëm 10.4% e eksporteve të Kosovës shkonin drejt Shqipërisë, ndërsa në vitin 2020 kjo shifër ishte 23.2%. Dhe, poashtu, në këtë periudhë, pjesëmarrja e importeve nga Shqipëria në totalin e importeve që vinin në Kosovë kishte rritje prej 81%.
Dy konkluzione të rëndësishme duhet bërë nga këto shifra. Së pari, një meritë të madhe për këtë rritje të qarkullimit tregtar duhet t’ua atribuojmë vetë bizneseve tona që, përkundër vështirësive, kanë arritur të kenë rritje të vazhdueshme në dy tregjet përkatëse. Dhe, së dyti, nuk duhet të kënaqemi me kaq.
Them se meritë të madhe kanë vetë prodhuesit dhe eksportuesit tanë sepse përkundër faktit që Kosova dhe Shqipëria janë anëtare të marrëveshjes rajonale të tregtisë së lirë CEFTA, rastet e bllokimit të lëvizjes së lirë të mallrave dhe prania e barrierave të ndryshme jo-tarifore nuk kanë qenë të pakta. Barrierat tregtare mjaft shpesh janë aplikuar nga autoritetet shqiptare si ndaj produkteve bujqësore ashtu edhe ndaj atyre industriale të eksportuara nga Kosova në Shqipëri.
Për t’ju ndihmuar edhe më shumë prodhuesve dhe eksportuesve tanë, si institucione, duhet edhe të mësojmë nga ta. Sepse ata kanë një meritë të veçantë për rritjen e qarkullimit tonë tregtar. Tani është koha që dy shtetet tona të bëjnë më shumë se kaq. Është e udhës që të kemi zotime nga të dy Qeveritë tona për heqjen e të gjitha barrierave jo-tarifore duke krijuar një komision të përbashkët ndër-qeveritar që do t’i identifikonte me saktësi shkaqet e këtyre pengesave dhe do të vinte me propozime konkrete për sanimin e tyre.
Përveç përmirësimit të kushteve të qarkullimit të mallrave, është thelbësore ta mundësojmë lëvizjen e lirë të punëtorëve. Jemi të vetëdishëm që në të kaluarën ka pasur procedura të ndërlikuara administrative për punëtorët nga Shqipëria që kanë dashur të punojnë në Kosovë. Dhe kjo është për të ardhur keq. Ne jemi zotuar edhe në programin qeverisës që po e përsërisim edhe tani, që të gjitha barrierat do të hiqen dhe punëtorët që vijnë nga Shqipëria nuk do të kenë asnjë procedurë shtesë për ata që të punojnë në Kosovë.
Këtu përmenda vetëm dy fusha tejet të rëndësishme ku mund të kemi përmirësim të vazhdueshëm të bashkëpunimit ekonomik, por sërish nuk duhet të kënaqemi me kaq. Se bashku mund të zhvillojmë politika të cilat e: stimulojnë zhvillimin e industrive përpunuese, me theks tek ajo e ushqimit; komplementojnë nevojat energjetike të dy vendeve sepse edhe natyrën e kemi përplotësuese; nxisin bashkëpunimin në bujqësi, mbështesin inovacionin dhe shërbimet në fushën e Teknologjisë së Informacionit; etj.
Premisat tona janë premtuese. Flasim të njëjtën gjuhë dhe kemi kulturë të përafërt të të bërit biznes. Tregjet tona janë të rëndësishme për eksportet e të dyja vendeve. Rritja e punësimit në të dy vendet është prioritet. Pra, na bashkojnë premisat, struktura e ekonomive, dhe objektivat. Mbetet gatishmëria dhe vullneti institucional për ta ndihmuar tutje zhvillimin e dy ekonomive tona. Jam i sigurt se as ky nuk na mungon me kryeministrin Rama dhe me mua, andaj së bashku edhe me të gjithë juve le ta rrisim intensitetin dhe dinamikën.
PDK-ja formon shtabin qendror zgjedhor
LDK thërret konferencë për media, nuk dihet arsyeja
2 Korriku njofton se ka përfunduar marrëveshja me akademinë ...
Aksidenti në rrugën Pejë-Prishtinë, 22 persona marrin trajti...
Casado për Pedrin: Ai është një nga më të mirët në pozicioni...
Përplasen 2 automjete në aksin Korçë-Pogradec, 2 të lënduar