Pas takimeve paraprake atje edhe me studentë dhe ekspertë të ekonomisë dhe sektorit financiar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, u mirëpritën nga pjesëtarë të mërgatës sonë në Frankfurt të Gjermanisë.
Në këtë organizim të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Frankfurt, i pranishëm ishte edhe deputeti i Bundestagut gjerman, Boris Mijatović dhe anëtari i Parlamentit të shtetit të Hessen-it, Stephan Grüger, të cilët patën nga një fjalë përshëndetëse, shkruan Arbresh.info.
Në adresimin e tij, Kurti falënderoi mërgatën për mikpritjen dhe entuziazmin e tyre, teksa shprehu dhe mirënjohjen për shtetin e Gjermanisë për mbështetjen, partneritetin dhe aleancën e palëkundur e të pareshtur.
“Me mundin edhe djersën tuaj janë paguar mësimdhënësit e gjuhës shqipe, por gjithashtu është financuar edhe lufta çlirimtare edhe rezistenca paqësore, e sot e kësaj dite dërgesat tuaja në Kosovë arrijnë në 20 për qind të bruto produktit vendor. Ne jemi falënderues e mirënjohës sa s’thuhet, por për dallim para tri dekadave kur ju thoshin kontribuoni duke sakrifikuar, tash ju themi investoni që të fitoni. Sepse Kosova po rritet, po demokratizohet, po forcohet, po zhvillohet dhe pjesë e pandashme e saj jeni edhe ju. Andaj, nuk keni nevojë të jeni modest për kontributin tuaj, përkundrazi duhet gjithashtu nga meritat tuaja edhe të përfitoni në atdheun tuaj.”, u shpreh Kurti.
Ai nënvizoi se zhvillimi që ka njohur vendi ynë, dëshmon se progresi demokratik dhe rritja ekonomike mund të ecin krah për krah njëra tjetrës e jo në kurriz të secilës. Ai foli edhe për punën e bërë në lidhjen e arsimit profesional me tregun e punës si dhe shtoi rëndësinë që ka për qeverinë lidhja e diasporës me shtetin dhe rritja e formave dhe mënyrave të cilat lehtësojnë kontributin e mërgatës në zhvillimin e vendit, përmes iniciativave si Programi për Diplomaci Qytetare apo Dritarja për Investime të Diasporës.
Zëvendëskryeministrja Gërvalla, teksa shprehu mirënjohjen e saj për kontributin jetik të bashkatdhetarëve tanë, u shpreh e lumtur që vazhdon ta shoh entuziazmin që nuk është shuar asnjëherë në mesin e mërgatës.
“Me një pjesë tuajën, para 30 vjetësh, para 25 vjetësh kemi mbushur sallat e sheshet e Frankfurtit, Bonit, Hamburgut e kudo që jemi angazhuar për t’i ndihmuar Kosovës nga larg”, tha ajo.
Kurti dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla ftuan mërgatën që të vijojnë regjistrimin në kuadër të procesit të regjistrimit të popullsisë për diasporën që zgjat deri më 31 dhjetor të këtij viti, si dhe regjistrimin për votim nga jashtë në zgjedhjet e ardhshme të cilën për herë të parë mund ta bëjnë fizikisht apo përmes postës në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës./Arbresh.info/
Mijëra migrantë me azil të refuzuar morën para për të lëshua...
Turi me diasporën, Rama takon nesër shqiptarët e Londrës
Amorim ka gjetur tashmë zëvendësuesin e Casemiros te Man Utd...
Kanadaja i dorëzon Ukrainës sistemin ushtarak NASAMS
Mehaj: Kërcënimet dhe deklaratat e Vuçiqit apo çfarëdo Viqi,...
“KB Krusha” për deklaratat e Pecit: Do të paraqesim fakte pë...