Google ADS

Kurti: Autoritetet e Beogradit po bëjnë trysni ndaj serbëve të Kosovës

23:07 | 21 Prill 2024
R J

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për procesin e sotëm zgjedhor në votimin për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit.

Qeveria e Kosovës, thotë Kurti në një postim në Facebook, është e ndjeshme ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, ‘sidomos ndaj trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto katër komuna’.

Shefi i qeverisë thotë se një vit pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të cilat u mbajtën më 23 prill të vitit 2023, e u njohën nga BE dhe ShBA, përkatësisht QUINT-i, sot u mbajtën ‘zgjedhjet për shkarkim’ të këtyre kryetarëve.

“Këto ‘zgjedhje për shkarkim’ u organizuan si përgjigje ndaj kërkesës së këtyre faktorëve ndërkombëtarë, e që erdhi pas sulmeve të dhunshme ndaj kryetarëve aktual dhe bandave ekstremiste të dhunshme që mësynin të hynin në ndërtesat komunale më 29 maj të vitit të kaluar, organizuar e sponzorizuar nga Serbia. Ato rezultuan me lëndimin e mbi 90 ushtarëve të KFOR-it, dhjetëra policëve të Kosovës dhe gazetarëve. Bazë e kërkesës për zgjedhjet për shkarkim ishte mungesa e legjitimitetit të kryetarëve aktual për shkak të daljes së ulët të qytetarëve, për shkak të kërcënimeve e shantazheve ndaj popullsisë lokale nga Beogradi zyrtar dhe vegla e tij Lista Serbe. U bë edhe udhëzimi administrativ që sqaronte se si zbatohet neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, shkruan tutje Kurti.

Ai shton se qytetarët serbë në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – sot patën mundësinë të shkarkojnë kryetarët aktual në një proces demokratik dhe të ligjshëm zgjedhor.

Rezultatet e votimit të sotëm, sipas kryeministrit, tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual. 20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin për të inicuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledh 20% por jo edhe 50%.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është ndjeshme ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos ndaj trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto katër komuna. Në këto tri vite, qeveria ka bërë maksimumin për të luftuar krimin dhe kontrabandën dhe për forcuar sundimin e ligjit. Sipas të dhënave nga terreni, në aspektin e sigurisë situata është raportuar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar. Por, ka pasur ndërhyrje të shumta të frikësimit e kërcënimeve nga Serbia. Procesi i sotëm zgjedhor është dëshmi e ambientit të përmirësuar të sigurisë dhe sundimit të ligjit’, ka shkruar Kurti, njëherësh ka falënderuar Komisionin Qendror Zgjedhor dhe të gjitha institucionet e Kosovës për ‘organizmin dhe mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhor i cili rrodhi pa incidente.

Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Këto masa të padrejta, pas votimit të sotëm, duhet larguar sa më parë.

“Ata që nuk i kanë dashur këta katër kryetarë komunash në veri, sonte, me keqardhje duhet t’ua urojnë atyre pozitat. E kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, bëjnë mirë që më në fund të shkojnë në zyret e tyre dhe ta ushtrojnë në mënyrë të papenguar detyrën në objektet zyrtare të komunave të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti./rtk

Të ngjashme