Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm zhvilloi një takim me grupin punues së bashku me përfaqësues të donatorëve në zbatimin e Arsimit dhe Aftësimit profesional në Kosovë.
Kryeministri Kurti cilësoi se gjatë tre viteve të qeverisjes është theksuar vazhdimisht rëndësia lidhjes së arsimit me ekonomi dhe të arsimit dhe aftësimit profesional me tregun e punës. Tashmë kur gjendemi në vitin e dytë akademik të zbatimit të arsimit dual, janë gjithsej 12 profile në 23 shkolla profesionale në 14 komuna të Kosovës në të cilat janë të përfshirë 920 nxënës.
“Arsimi dhe Aftësimi Profesional janë themelore për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Pajisja e fuqisë punëtore me aftësi praktike dhe të përshtatshme na lejon të adresojmë drejtpërdrejt hendekun e aftësive në industritë kyçe, duke çuar në rritjen e produktivitetit, inovacionit dhe të konkurrencës në tregjet lokale dhe globale” u shpreh ai.
Në kuadër të zbatimit të sistemit dual, kryeministri njoftoi se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë punuar me përkushtim për të bërë reformat e nevojshme për të lidhur arsimin me nevojat aktuale dhe ato të ardhshme të tregut. Po ashtu në bashkëpunim me donatorë sikurse GIZ, ADA, SDC, USAID, LuxDev, KfW dhe BE, janë kryer sondazhe dhe hulumtime për të identifikuar nevojat dhe për të përcaktuar mënyrat më të mira se si t’i plotësojmë ato.
Gjatë kësaj punëtorie, akterët e përfshirë diskutuan përpilimin e standardeve të reja për profilet e mësimit dual, bazuar në propozimet e MINT-it dhe kërkesat e tregut të punës. Çështje tjetër ishte edhe zhvillimi i burimeve njerëzore që nevojiten në industri për mbarëvajtjen e këtij sistemi, respektivisht trajnimi i instruktorëve për zbatimin e sistemit dual.
Një nga çështjet kryesore për t’u diskutuar dhe zhvilluar ishte dhe ajo mbi provimet gjatë aftësimit profesional dhe certifikimi në fund të procesit.
“Bashkëpunimi mes shkollave të mesme dhe të ulëta, shkollave të arsimit dhe trajnimit profesional dhe sondazhet mbi efektivitetin e mësimit dual nga perspektiva e studentëve, mësimdhënësve, bizneseve, dhomave dhe shoqatave të biznesit, janë thelbësore për suksesin e kësaj nisme tonë të përbashkët”, përfundoi ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të dashur zonja dhe zotërinj,
Të nderuar donatorë,
Është një nder i madh të jem sot këtu me juve bashkë, në këtë ambient të qeverisë, për të diskutuar një çështje kaq të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë. Më gëzon fakti që shoh kaq shumë akterë, kaq shumë të përkushtuar dhe të interesuar për Arsimin dhe Aftësimin Profesional. Kjo është një dëshmi e qartë e rëndësisë së këtij sektori për zhvillimin tonë të përbashkët.
Gjatë më shumë se tre viteve të qeverisjes sonë, kemi theksuar vazhdimisht rëndësinë e lidhjes së arsimit me ekonomi, të arsimit dhe aftësimit profesional me tregun e punës. Arsimi dhe Aftësimi Profesional janë themelore për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Pajisja e fuqisë punëtore me aftësi praktike dhe të përshtatshme na lejon të adresojmë drejtpërdrejt hendekun e aftësive në industritë kyçe, duke çuar në rritjen e produktivitetit, inovacionit dhe të konkurrencës në tregjet lokale dhe globale.
Në vitin e dytë akademik të zbatimit të arsimit dual, deri më tani kemi gjithsej 12 profile, në 23 shkolla profesionale në 14 komuna anekënd Kosovës, në të cilat deri më tani janë të përfshirë 920 nxënës.
Kosova, me një popullsi të re dhe dinamike, përballet me sfida të mëdha në lidhje me papunësinë e të rinjve, kështu, Arsimi dhe Aftësimi Profesional ofrojnë një rrugë të qartë për të rinjtë për të fituar aftësitë e duhura, duke nxitur krijimin e vendeve të reja të punës, uljen e normave të papunësisë dhe promovimin e Kosovës si një vend tërheqës për investime. Kjo është thelbësore për rritjen ekonomike dhe mirëqenien e përgjithshme të vendit tonë.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë punuar me përkushtim për të bërë reformat e nevojshme, për ta lidhur arsimin me nevojat aktuale dhe ato të ardhshme të tregut. Në bashkëpunim me donatorët, janë kryer sondazhe dhe hulumtime për të identifikuar nevojat dhe për të përcaktuar mënyrat më të mira se si t’i plotësojmë ato.
Unë ju falënderoj të gjithëve që jeni pjesëmarrës aktiv dhe që bashkërendoni përpjekjet tuaja për t’i arritur këto qëllime. Është inkurajuese që sot, gjatë kësaj punëtorie, do të diskutoni përpilimin e standardeve të reja për profilet e mësimit dual, bazuar në propozimet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe kërkesat e tregut të punës. Gjithashtu do të trajtoni edhe trajnimin e instruktorëve për zbatimin e sistemit dual në ndërmarrje dhe zhvillimin e burimeve njerëzore që nevojiten në industri për mbarëvajtjen e këtij sistemi.
Një nga çështjet kryesore që mbetet për t’u diskutuar dhe zhvilluar janë provimet gjatë aftësimit profesional dhe certifikimi në fund të procesit. Kemi shumë përvoja të vlefshme nga shtete të ndryshme gjermanofolëse, por është e rëndësishme të gjejmë formulën e duhur për nxënësit tanë në industrinë vendore.
Më e rëndësishmja që vërej në këtë plan dinamik është orientimi në karrierë për nxënësit e klasës së nëntë. Bashkëpunimi mes shkollave të mesme dhe të ulëta, shkollave të arsimit dhe trajnimit profesional dhe sondazhet mbi efektivitetin e mësimit dual nga perspektiva e studentëve, mësimdhënësve, bizneseve, dhomave dhe shoqatave të biznesit, janë thelbësore për suksesin e kësaj nisme tonë të përbashkët.
Unë ju falënderoj për kontributin tuaj të çmuar. Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme për Kosovën dhe posaçërisht për të rinjtë e saj dhe ju dëshiroj punime të mbara./Arbresh.info
Driloni me pëlqim për Xhenetën?
Mevlani: Me Dianën nuk kishte asgjë serioze – po të isha beq...
Kurti: Shëndetësia publike po transformohet shpejt dhe rrënj...
Sulmet izraelite në Gaza, mbi 70 të vrarë gjatë orëve të fun...
“Vendimi pas dy javësh, nuk presim rezultat tjetër veç fitor...
Banka Botërore nis në Shqipëri programin për urat e qëndrues...