Me ftesë të tij, kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, mirëpriti sot në takim ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë për t’i informuar dhe diskutuar mbi sulmin kinetik të mbrëmjes së 29 nëntorit në Varagë të Zubin Potokut, në infrastrukturë kritike, në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit.
Përgjatë takimit, Kurti theksoi se qëllimi i këtij sulmi ka qenë dëmtimi i prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në pjesën më të madhe të vendit, duke qenë sulmi i tretë në 72 orë kundër Republikës sonë, pas atyre të 26 dhe 28 nëntorit në stacionin policor në Zveçan dhe në afërsi të objektit të kësaj Komune, transmeton Arbresh.info.
Kryeministri Kurti tha se një sulm të tillë të ngjashëm ndaj infrastrukturës kritike e kemi parë pak ditë më parë edhe kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës, e cila u sulmua nga raketat ruse. Shtoi se indikacionet tregojnë se sulmi është kryer nga grupe e persona profesionistë e të mbështetur e dirigjuar nga Serbia.
Ai i informoi diplomatët prezentë se Policia po i zhvillon hetimet, gjersa tashmë ka të arrestuar të dyshuar të ndërlidhur me sulmin e përgjegjës për ekzekutimin e tij, si dhe dëshmi e prova materiale, ndër to edhe armë, eksplozivë e uniforma dhe emblema të njësive ushtarake ruse. Kryeministri nënvizoi se kriminelët e terroristët do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës.
Më tej, foli edhe për rëndësinë e ekstradimit dhe arrestimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, duke organizuar e planifikuar me mbështetjen edhe të Beogradit zyrtar dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq, sulme në vazhdimësi ndaj Republikës së Kosovës. Serbia vazhdon të mbështesë grupet terroriste me armë, financa dhe logjistikë, që solli që pas sulmit në Banjskë të pasojnë edhe sulme të tjera, përfshirë edhe aktin e fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
Gjithashtu, kryeministri shprehu dhe falënderimin e tij për të gjithë partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës./Arbresh.info
Pas fitores bindëse, Kosova pëson humbje në miqësoren e dytë...
KRU “Mitrovica”: Ka filluar trajtimi i ujit në impiantin në ...
Kryeministri Kurti mirëpriti ambasadorin e Turqisë në Kosovë...
Veliaj: Tirana ndriçohet sonte për festat e fundvitit
Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, Kurti...
E akuzoi qeverinë për djegien e IML-së, Haxhiu i bën thirrje...