Google ADS

Kurti: Agjencinë e Akreditimit synojmë ta bëjmë tërësisht të pavarur në ekzekutimin e politikave arsimore

17:10 | 25 Janar 2022
L G

Zhvillimet e sotme në nivel global na kanë ekspozuar përballë një mori sfidash, ballafaqimi me të cilat kërkon sistem arsimor të fuqishëm.

Kosova si shoqëri nuk mund të jetë imune ndaj këtyre sfidave.

Në shumicën e rasteve është madje edhe pasqyrim brutal i tyre, sikurse e patëm rastin me inflacionin, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në prezentimin e aktiviteteve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vitin 2021 dhe Strategjinë e AKA-së 2021-2025, shkruan arbresh.info.

Ai tha se fatkeqësisht si qeverisje, kemi trashëguar edhe një sistem arsimor, i cili është rezultat i një politike publike, që në masë të madhe ka qenë elektorale e shumë pak ose aspak strategjike e vizionare.

Një sistem, ku interferimet politike, që nga rekrutimet e stafit në të gjitha nivelet, e deri tek ushtrimi i funksioneve të institucioneve të pavarura ekzekutive, siç ka qenë rasti me Agjencinë e Akreditimit, kanë qenë praktikë e stabilizuar, tha kryeministri Kurti.

Këto interferime, siç tha ai, e kanë pamundësuar krijimin e një sistemi të qëndrueshëm arsimor, i cili do të mundësonte orientimin e qytetarëve dhe rinisë sonë drejt karrierave të qëndrueshme profesionale.

Në këtë kontekst, kur është fjala për Agjencinë e Akreditimit, ne synojmë që këtë institucion ta bëjmë tërësisht të pavarur në ekzekutimin e politikave arsimore. Interferimet politike në Agjencinë në të kaluarën, do të ngelen në të kaluarën, tha kryeministri Kurti.

Tani e tutje, kjo agjenci do të funksionojë mbi bazat e profesionalizmit dhe ekspertizës, si dhe parimeve të barazisë, etikës e integritetit, e të gjithpërfshirjes. E, për punën e saj, si referencë, do t’i ketë standardet evropiane dhe udhëzuesit për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.

Kryeministri Kurti rikonfirmoi mbështetjen e plotë për Agjencinë në përpjekjet e saj për t’i adresuar dhe për t’i përmbushur rekomandimet dhe shprehu synimin e patjetërsueshëm të qeverisjes sonë – rikthimin në ENQA dhe EQAR.

Kemi arritje në të bërit e arsimit të lartë më gjithëpërfshirës dhe më të qasshëm, duke hequr tarifat semestrale, por kemi ende rrugë për të bërë, që këtë nivel të arsimit ta bëjmë më atraktiv dhe më konkurrent ndërkombëtarisht, tha ai./arbresh.info/

Të ngjashme