Organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt Akademia Përkujtimore në shënim të njëvjetorit të rënies së Rreshterit të Policisë së Kosovës e heroit tonë, Afrim Bunjaku.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se një vit më parë, Republika e Kosovës u përball me sfidën më të rrezikshme që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, ku një grup terroristësh të mbështetur, të armatosur, të financuar, të trajnuar dhe të instruktuar nga shteti i Serbisë, kryen një akt të qartë agresioni, me qëllim shkëputjen dhe aneksimin e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës, në veri të saj.
Në nderim të jetës dhe veprës për shtetin e Kosovës, kryeministri përshkoi përkushtimin e angazhimin 22 vjeçar të heroit Afrim Bunjaku në Policinë e Kosovës, deri në momentin ku ai ra në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës.
“Akti i Afrim Bunjakut zbuloi dhe bëri të dështojë sulmin e shkallës së fundit të një shteti gjithnjë agresiv siç është fqinji ynë verior. Pra, Afrim Bunjaku është hero sepse në kohën e vet, në funksionet e tij, zbuloi veprimtarinë më të re të agresionit që ka paramenduar, financuar dhe organizuar një shtet që nuk i përket paqes, sigurisë e progresit, por përherë dhe vetëm agresionit, konfliktit dhe luftës.” tha kryeministri.
Ai shtoi se adresa e vendimit politik, e planifikimit operacional, urdhërdhënies institucionale dhe adresa e fshehjes së ekzekutuesve të këtij akti agresioni me qëllim të aneksimit të një pjese të territorit të Kosovës, është Beogradi zyrtar dhe vetë shteti i Serbisë.
“Ne e dimë kush janë autorët e sulmit në Banjska, e dimë ku janë kryerësit dhe pjesëmarrësit në të, e dijmë ku fshihen apo më saktë të themi se si nuk fshihen, dhe gjithsesi e dijmë se kush i mbron ata. Serbia duhet të përgjigjet sepse është përgjegjëse për sulmin në Banjska, andaj ajo duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe të bashkëpunojë me Kosovën dhe Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për nxjerrjen para drejtësisë të kryerësve të këtij akti agresioni, në një proces të drejtë gjyqësor në vendin tonë.” u shpreh kryeministri.
“Kosova padyshim se në këtë kontekst është dhe mbetet ajo që ka qenë: demokratike, për liri, për përparim dhe pro Perëndimit. Fatkeqësisht, Serbia ka mbetur po ajo që ka qenë, siç e kemi njohur ngaherë: agresive, hegjemone, kriminale dhe pro Rusisë.” përfundoi kryeministri.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar zëvendëskryeministra, Besnik Bislimi dhe Emilija Rexhepi,
I nderuar Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha,
E nderuara familje Bunjaku, bashkëshortja Lumnija, vajza Arbenita, djemtë Fatlumi dhe Jetlumi, vëllai Mujë Bunjaku,
Të nderuar përfaqësues të kabinetit qeveritar,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik, shkëlqesi ambasadorë dhe diplomatë të tjerë,
I nderuari z. Mirsad Kryeziu dhe zyrtarë policorë, kolegë të Rreshter Afrim Bunjakut,
Familje të dëshmorëve të kombit,
Të nderuar invalidë e veteranë të luftës çlirimtare,
Të dashur qyterarë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Sivjet, çdo reflektim publik me referenca ndaj historisë tonë moderne, ka kaluar nën shenjën e përmbushjes së një çerekshekulli liri. Gjatë këtij viti, populli i Kosovës dhe institucionet shtetërore të ngritura e të zgjedhura prej tij, e kanë shënuar 25-vjetorin e çlirimit të vendit tonë nga Serbia pushtuese më 1999. Veçanërisht gjatë gjithë gjysmës së parë të vitit, pothuajse çdo ditë, e nganjëherë edhe më shumë se një herë në ditë, i kemi përkujtuar viktimat e masakrave të kryera nga Serbia gjatë fushatave të saj të spastrimit etnik, me gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës. E krahas tyre, i kemi kujtuar dhe shënuar betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj të drejtë për lirinë e Kosovës, të mbështetur nga vendet e aleancës veriatlantike.
Po i përmendi përkujtimet e të gjitha viktimave të luftës dhe lavdinë e dëshmorëve të lirisë, jo vetëm sepse shteti ynë është ngritur pikërisht mbi gjakun e tyre të derdhur dhe luftën e të rënëve për çlirim, por edhe sepse pikërisht në vitin e 25-të të lirisë, u sprovuam përkitazi gatishmërisë dhe aftësisë tonë si shtet dhe si shoqëri, për ta mbrojtur lirinë e fituar me aq sakrifica e mund ndër gjenerata të tëra.
Kështu, saktësisht një vit më parë, shteti ynë, Republika e Kosovës u përball me sfidën më të rrezikshme që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit të vitit 2023, një grup terroristësh të mbështetur, të armatosur, të financuar, të trajnuar dhe të instruktuar nga shteti i Serbisë, kryen një akt të qartë agresioni, me qëllim shkëputjen dhe aneksimin e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës, në veri të saj. Në fshatin Banjskë të Zveçanit, ky grup terroristësh serbë me uniforma taktike ushtarake, hasën në një patrullë policore të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e së cilës i sulmuan. Duke e aktivizuar një minë me kabllo nga distanca, atë ditë, terroristët serbë e vranë Rreshterin Afrim Bunjaku dhe e plagosën zyrtarin policor Alban Rashiti.
Nëntë muaj më parë, më 6 janar të vitit 2023, Rreshter Afrim Bunjaku ishte caktuar me detyrë Mbikqyrës i Ekipit Patrullues në Stacionin Policor të Zveçanit. Natën mes 23 dhe 24 shtatorit 2023, Rreshter Afrimi ishte shef i ndërrimit në Stacionin Policor në Zveçan. Pas mesnate, në mëngjesin e hershëm, në orën 02:40 minuta, kolegë nga Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, kishin raportuar se në hyrje të fshatit Banjskë, dy kamionë ishin vendosur duke e barrikaduar hyrjen në fshat. Rreshter Afrimi u nis bashkë me kolegët për në vendin e ngjarjes, që pak minuta më pas do të kthehej në skenë të krimit. Në hyrje të fshatit Banjskë, një minë kundërkëmbësore e telekomanduar nga distanca, shpërtheu duke i qëlluar Afrim Bunjakun dhe Alban Rashitin. Kolegu i tyre, Mirsad Kryeziu, arriti të tërhiqte trupin e Afrimit teksa i tërë vendi përreth, përshkohej gjithandej nga breshëri plumbash të shtënë prej terroristëve të armatosur rëndë.
Rreshteri Afrim Bunjaku vdiq në krye të detyrës, duke rënë dëshmor në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës dhe duke u kthyer në një hero të vendit e të popullit tonë. Ai kishte shërbyer në Policinë e Kosovës që nga viti 2001, kur Afrimi e kishte nisur shërbimin në Stacionin Policor të Vushtrrisë, deri më 4 maj 2007, kur u gradua Rreshter. Për shtatë vitet pasuese, ai shërbeu në Stacionin Policor të Mitrovicës së Jugut, ndërkaq nga viti 2014 shërbeu edhe si instruktor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Nga viti 2015, Rreshter Afrim Bunjaku kishte shërbyer si udhëheqës i ekipit reagues në Stacionin Policor në Vushtrri. E tërë kjo karrierë në Policinë e Kosovës, prej një polici të përkushtuar për plot 22 vite, kulmoi më 24 shtator 2023, duke rënë në krye të detyrës, si dëshmor i ruajtjes së lirisë me rend dhe i mbrojtjes së sovranitetit me ligj.
Në fillim të ballafaqimit, kur u vra Afrimi, ishin nëntë zyrtarë policorë gjithsej, katër nga stacioni i Zveçanit, dy nga Njësia e Trafikut dhe tre nga Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit. Afrimi si zakonisht qysh e njohin mirë kolegët e tij printe, printe me guxim, printe sepse i guximshëm, dhe ai u vra sepse nuk deshi që të pësonin të tjerët, më të ri se ai. Atë ditë, fatmirësisht, kolegu dhe shoku i Afrimit, zyrtari policor Alban Rashiti, u shpëtoi plagëve të marra, duke i mbijetuar këtij rasti.
Aksioni dhe guximi i policëve të Kosovës nuk përfundoi aty. Gjatë dy orëve pasuese, qindra pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërmorën një aksion policor të një niveli të lartë profesional, duke përballur terroristët me qëllime aneksuese, disa prej të cilëve mbetën të vrarë kurse të tjerë ikën të plagosur. Në ditët pasuese dhe në javët në vijim, Policia e Kosovës zbuloi dhe sekuestroi një arsenal të tërë armësh dhe municionesh në disa lokacione në veri të Kosovës, bashkë me qindra uniforma të llojllojshme taktike dhe ushtarake, makina, materiale dhe dokumente shoqëruese. Nga hartat e grupit terrorist, u kuptua se qëllimi përfundimtar i tyre ishte një luftë më e gjatë, më e gjerë, drejt aneksimit të një pjese të territorit të Kosovës, kurse nga dokumentacioni dhe aparatet teknologjike të kapura, u sqarua roli i shtetit të Serbisë në tërë këtë projekt për pushtimin e një pjese të territorit të vendit tonë.
Xhirimet e bëra me dron ditën e 24 shtatorit, zbuluan që prijësi i këtij grupi, ishte vetë Millan Radoiçiq, një kriminel i profilit të lartë që nën petkun e një politikani aktiv në Kosovë, prej vitesh kishte zbatuar urdhëra kriminal nga Beogradi zyrtar. Ai kishte drejtuar një rrjet të gjerë parapolitik, në trajtën e një bande mafioze e një grupi terrorist, me të cilin e kishte mbajtur nën kontroll pothuajse gjithë veriun e Kosovës, me anë të frikësimit, terrorit dhe shantazhit. Që nga ajo ditë, Millan Radoiçiq është kërkuar vazhdimisht nga shteti i Kosovës, kurse është mbrojtur, është fshehur dhe është lënë i paprekur nga shteti i Serbisë. Aktakuza e ngritur ndaj tij së fundi, nuk është vetëm një kusht juridik dhe një përpjekje për drejtësi, por edhe një denoncim ndaj një tentative të dështuar në trajtën e një terrorizmi shtetëror të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës.
Adresa e vendimit politik, e planifikimit operacional, e urdhërdhënies institucionale dhe adresa e fshehjes së ekzekutuesve të këtij akti agresioni me qëllim të aneksimit të një pjese të territorit të Kosovës, është Beogradi zyrtar dhe vetë shteti i Serbisë. Ne e dijmë kush janë autorët e sulmit në Banjska, e dijmë ku janë kryerësit dhe pjesëmarrësit në të, e dijmë ku fshihen apo më saktë të themi se si nuk fshihen, dhe gjithsesi e dijmë se kush i mbron ata. Serbia duhet të përgjigjet sepse është përgjegjëse për sulmin në Banjska, andaj ajo duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe të bashkëpunojë me Kosovën dhe Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për nxjerrjen para drejtësisë të kryerësve të këtij akti agresioni, në një proces të drejtë gjyqësor në vendin tonë.
Si shtet autokratik e hegjemonist, Serbia synon territore. Taktikën e ka hibride, ndërgjegjen e ka morbide. Duke ngelur Republikë vetëm në kuptimin nominal të fjalës, dhe duke mos arritur të bëhet monarki edhe në kuptimin formal të fjalës, Serbia është shtet paramilitar.
Por çka jemi ne? Ne jemi Republika e Kosovës, ne jemi ndërgjegjja e lartë e vendosjes së pavarësisë me luftë heroike dhe drejtësi demokratike. Ne jemi pra jo vetëm një pjesë e njerëzimit që i ka shpëtuar pushtimit serb, por edhe shembulli më akuzues për mashtrimin që udhëheq shtetin serb. Suksesi i Republikës sonë është argumenti që i kundërvihet më shumë se çdo teori politike mbi qytetarin dhe demokracinë, thelbit të shëmtuar të Serbisë së sotme të Vuçiqit.
Akti i Afrim Bunjakut zbuloi dhe bëri të dështojë sulmin e shkallës së fundit të një shteti gjithnjë agresiv siç është fqinji ynë verior. Pra, Afrim Bunjaku është hero sepse në kohën e vet, në funksionet e tij, zbuloi veprimtarinë më të re të agresionit që ka paramenduar, financuar dhe organizuar një shtet që nuk i përket paqes, sigurisë e progresit, por përherë dhe vetëm agresionit, konfliktit dhe luftës.
Të nderuar pjesëmarrës, ju ftoj ta mendojmë pak më thellë shënjimin heroik të Rreshterit tonë, të heroit tonë Afrim Bunjaku. Le të mendojmë rëndësinë e trefishtë të Afrim Bunjakut.
Së pari, ai është nyja lidhëse mes vendosjes së plotë të institucioneve, të rendit dhe të drejtësisë, dhe të mbrojtjes së paprekshmërisë së njësisë institucionale të shtetit, deri në vetëmohim të zyrtarit.
Së dyti, ai është zbuluesi, akuzuesi deri në vetëmohim i vetes së tij, ndaj një Serbie që, e ndërtuar mbi një themel të së keqes për të tjerët, për fqinjët por edhe për veten, pasi ka kaluar nëpër të gjitha format historike të agresionit hegjemon politik dhe ekonomik, agresionit shtypës shoqëror me burgje dhe aparteid, agresionit denigrues me shpunësim dhe varfërim, agresionit ushtarak e paraushtarak deri në gjenocid, pasi ka kryer agresionin e zbrazjes së veriut të Kosovës prej popullsisë shqiptare dhe joserbe, agresionin hibrid të krimit dhe presionit mbi popullsinë serbe në veriun e Kosovës, gjendje që ne e sanuam me vendosjen e rendit gjithërepublikan edhe në veri, tash mendon për forma të reja të agresionit terrorist.
Të gjitha këto agresione i mposhti rezistenca afatgjatë e popullit të Kosovës dhe forca e drejtësisë sonë që nuk diskriminon e nuk privilegjon askënd, as sipas përkatësisë etnike dhe as asaj fetare apo tjetërfare. Rezistenca ishte përplot vetëmohim, me një numër të madh dëshmorësh e viktimash. Në këtë të vërtetë dhe realitet të Kosovës, Serbisë nuk i mbeti veçse, në dëshpërim, në një mundësi të fundit të çoroditjes së saj, të provonte një formë të zymtë të agresionit: agresionin terrorist shtetëror. Por, përsëri doli heroi, polici i Kosovës, për ta shpallur të dështuar edhe këtë sulm, duke e pamundësuar atë, duke e dëshmuar atë dhe duke rënë dëshmor i saj.
Dhe, së treti, Rreshteri i Policisë, heroi Afrim Bunjaku është zbulues i lartë i institucionit, dëshmuesi i lartë i një përgjegjësie dhe pasioni të thellë të Policisë së Kosovës. Afrim Bunjaku është pra heroi që dëshmon vërtetësinë e policisë sonë.
Të nderuar të pranishëm,
Heronjtë i shkruajnë me vepra frazat dhe fazat tona historike drejt lirisë dhe sovranitetit të plotë. Mjafton t’i lexojmë mirë emrat e tyre, dhe atëherë është e sigurtë se do të mësojmë nga vijmë e ku po shkojmë. Ata na mësojnë të respektojmë tokën ku jemi, ta ndërtojmë demokracinë në mënyrën më të përpiktë dhe më të sinqertë, të respektojmë energjitë që gëzon secili prej nesh, pra, të synojmë në Kosovën tone, një jetë të pjekur të përbashkët e të barabartë për të gjithë qytetarët e saj, e në një botë të nxehtë, ne pra kërkojmë dhe synojmë një Kosovë të sigurtë.
Ata nuk ia dolën sepse ne ishim të gatshëm. Ata dështuan sepse ne ishim të vendosur. Zyrtari ynë publik, mbron Kosovën tonë republikë. Ne e dinim gjithmonë këtë, tani, këtë e dijnë edhe ata. Ashtu siç e dijmë që po aq sa ka qenë e vështirë të çlirohemi nga Serbia, po aq kërkon gatishmëri, forcë dhe vigjilencë për ta ruajtur lirinë e Kosovës veçanërisht prej vetë asaj, veçanërisht prej të gjithëve e secilit prej nesh.
Veriu i Kosovës është nyja nevralgjike, ku sot mund të lexohet si në miniaturë gjeopolitika e tërë vendeve të Ballkanit karshi sigurisë së kontinentit tonë evropian, në sfond të luftës agresive ruse në Ukrainë, e Kosova padyshim se në këtë kontekst është dhe mbetet ajo që ka qenë: demokratike, për liri, për përparim dhe pro Perëndimit. Fatkeqësisht, Serbia ka mbetur po ajo që ka qenë, siç e kemi njohur ngaherë: agresive, hegjemone, kriminale dhe pro Rusisë.
Në këtë pikë, heronjtë si Afrim Bunjaku, i bëjnë të qarta linjat mes kampeve. Andaj sot, po qëndroj para familjes së nderuar Bunjaku, para kolegëve policë të tij dhe para gjithë popullit të Kosovës, me bindjen e thellë për vlerën e flijimit dhe drejtësinë e besimit, që na e la trashëgim Afrimi.
Lavdi heroit Afrim Bunjaku!/Arbresh.info/
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...
Bernabeu iu përul legjendës: Një lamtumirë madhështore për d...
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit