Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se administrata publike është jetike për funksionimin e mirë të shtetit të Kosovës.
Sipas tij, reforma e saj, me qëllim përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ekzekutimit të procedurave burokratike, i kontribuon sa demokratizimit të shoqërisë aq edhe zhvillimit të saj.
Për këtë, ai ka zhvilluar sot një takim virtual me Prof. Dr. Wolfgang Drechsler dhe Bardhyl Dobrën.
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të tij në Facebook:
Profesori Drechsler është profesor eminent i Qeverisjes (Governance): profesor i rregullt në Tallinn Technology University të Estonisë, profesor i asociuar në Harvard University të ShBA-ve dhe në University College London të Britanisë së Madhe. Fushat e tij të interesit akademik përfshijnë nga Administrata Publike e vendeve joperëndimore te Administrata Publike, Teknologjia dhe Inovacioni e Qeverisja Elektronike, deri te Reforma e Menaxhmentit Publik. Profesori Drechsler ka një përvojë të gjerë e të thellë të punës edhe në politikëbërje, duke shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Agjencisë Gjermane përgjegjëse për nivelizimin e arsimit të lartë gjatë dhe pas ribashkimit të Gjermanisë Lindore me atë Perëndimore, si këshilltar i Presidentit të Estonisë, dhe si analist i lartë legjislativ në Kongresin e ShBA-ve.
Kurse, Bardhyl Dobra, përmes së cilit u mundësua ky takim i përbashkët, është doktorant në Administratë dhe Menaxhment Publik pranë Ghent University në Belgjikë. Tema e tij e doktoratës është “Rindërtimi i Administratës Publike në Shtetet pas Konfliktit – Rasti i Kosovës”. Dobra ka qenë Sekretar Ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkollave dhe Instituteve të Administratës dhe zyrtar për akreditimet pranë Komisionit Ndërkombëtar për Akreditime të Programeve të Edukimit dhe Trajnimit në Administratë Publike, që të dyja me seli në Bruksel. Si shqiptar i Kosovës dhe shtetas francez, ai po ashtu është nënkryetar i Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris të Francës.
Gjatë disktutimit, i njoftova me ngjarjet dhe zhvillimet politike në vend sikurse edhe ato brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Fola për Qeverinë tonë në pranverën 2020 si dhe Qeverisjen Alternative të Lëvizjes dhe raportin e këtyre me administratën publike e vëmendjen për reformë e riformatim. Synimi i Qeverisjes sonë për luftimin e korrupsionit, zhvillim social e ekonomik, dhe rikthimin e trurit e bashkë me të edhe etikën perëndimore të punës padyshim se i shërbejnë përmirësimit të administratës publike.
Profesori Drechsler tha se Kosova është një rast atraktiv për studiuesit ndërkombëtarë. Si i tillë mund të përdoret si avantazh nga qeveritë e vendit duke i ftuar ata profesionistë në hartimin e politikave për përmirësimin e Administratës Publike. Sipas tij, fatkeqësisht ka një mungesë të studimeve serioze mbi gjendjen dhe situatën e kësaj ndërmarrje shtetërore, studime të cilat do të mundësonin identifikimin e masave dhe instrumenteve të përshtatshme për rastin e Kosovës. Ai tha se administrata publike është më e ngjashme me arkitekturën në kuptimin e përshtatjes së saj me kulturën, relievin, klimën dhe historinë e vendit, sesa me inxhinierinë e cila udhëhiqet nga parime fikse e të zbatueshme përherë çdo kund. Prandaj, gjatë takimit diskutuam modele të ndryshme të Administratës Publike që janë dëshmuar të sukseshme, nga ajo e Estonisë e Finlandës, deri te ato të Singaporit, Taiwanit e Zelandës së Re, prej nga mund të merren mësime pozitive për vendin tonë, pa kopjuar a imituar.
Ky ishte vetëm bashkëbisedimi i parë me profesor Drechsler dhe Bardhyl Dobrën. Me ta do të jem në konkakt dhe në bashkëpunim në funksion të shkëmbimit të ideve dhe ekspertizave në fushën e administratës publike.
Sveçla në Samitin për Digjitalizim në Estoni: Siguria Kibern...
Anisa ironizon me Gresën: A përlahem sot?
Arabia Saudite do të investojë 500 miliardë dollarë në turiz...
Çështjet ligjore ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump, ...
SPAK sekuestron dy vilat në pronësi të Monika Kryemadhit dhe...
Policia patrullon në veri, me fokus në sigurinë e trafikut r...