Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Agjenda Digjitale 2030, e miratuar vitin e kaluar, konfirmon përkushtimin ndaj digjitalizimit në qeveri dhe ekonomi.
Me anë të një postimi në Facebook, tregoi se transformimi digjital është shtytës kyç drejt një qeverie më transparente e më efikase dhe për zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik, shkruan Arbresh.info.
Kurti tha se me strategjinë e re të e-Qeverisjes 2023-2027, që ka një buxhet prej 48 milionë euro, është nisur një sërë reformash që përshijnë ndërtimin e një arkitekture mbarëqeveritare, tranzicionin drejt teknologjisë ‘cloud’, lansimin e qendrave të integruara të shërbimeve, dhe jetësimin e qasjes së re të ofrimit të shërbimeve bazuar në ngjarje jetësore.
“Pilotimi i shërbimeve që ndërlidhen me ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijës tashmë është në fazën e zhvillimit.”, tha ai.
Ndër të tjera, kryeministri theksoi se janë lansuar 155 shërbime në e-Kosova që eliminojnë pritjet nëpër sportele dhe u lehtësojnë jetën qytetarëve.
“Certifikatat e gjendjes civile, certifikatat e pronës dhe kopjet e planit, obligimet e tatimit në pronë e gjobat në trafik, vazhdimi i regjistrimit të veturës, certifikata për historinë penale, dhe aplikimet për shtesa, përfitime, grante e subvencione të ndryshme – sot janë shërbime që mund të merren online. Dhe ato shërbime elektronike që janë me pagesë, mund të paguhen drejtpërdrejtë në e-Kosova.”, u shpreh ai.
Shefi i Qeverisë vlerësoi se digjitalizimi i proceseve të brendshme të administratës publike mundëson rritjen e efikasitetit dhe llogaridhënies në qeverisje.
“Andaj është zhvilluar dhe funksionalizuar edhe sistemi elektronik për hartimin e legjislacionit (LDS), i cili digjitalizon tërë ciklin e hartimit të legjislacionit parësor dhe dytësor.”, shtoi Kurti.
“Miratimi i ligjit për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, si dhe 10 akteve nënligjore të këtij ligji, kanë krijuar bazën ligjore për identifikimin elektronik, nënshkrimin elektronik dhe vulën elektronike. Zhvillimi i sistemit nacional të eID, që është duke u finalizuar, do të hapë rrugë për digjitalizimin e plotë të shumë shërbimeve tjera në qeveri dhe sektorin privat.”, tha mes të tjerash kryeministri.
“Indeksi i Maturitetit të Teknologjisë për Qeverisje i Bankës Botërore (GTMI), e ka njohur progresin e arritur në fushën e e-Qeverisjes, duke ngritur Kosovën nga grupi C i vendeve me fokus të kufizuar, në grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale.”, tha ai.
Tutje, ai tha se miratimi i Strategjisë së Sigurisë Kibernetike 2023-2027 në po të njëjtën ditë me strategjinë e e-Qeverisjes dëshmon vendosmërinë tonë që rruga drejt transformimit digjital të jetë edhe e sigurt.
“Përmes investimit të paraparë prej 9.8 milionë eurosh nga qeveria dhe donatorët kemi adresuar aspektet e krijimit të strukturave institucionale, zhvillimit të kapaciteteve njerëzore, bashkëpunimit kombëtar e ndërkombëtar, dhe ngritjen e vetëdijes së mbarë shoqërisë. Të gjitha këto së bashku do të mundësojnë forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike të vendit tonë.”, tha kryeministri Kurti.
“Ligji për sigurinë kibernetike është një hap tjetër i rëndësishëm për ngritjen e sigurisë së hapësirës tonë kibernetike. Ky ligj parasheh themelimin e institucioneve përgjegjëse për sigurinë kibernetike dhe përcakton standardet minimale të sigurisë kibernetike në infrastrukturën kritike.”, tha ai.
Ai përmendi edhe inaugurimin e Qendrës Shtetërore të Trajnimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duek thënë se e njëjta do t’iu shërbejë institucioneve shtetërore por edhe operatorëve tjerë të infrastrukturës kritike.
“Ndërsa Agjencia për Siguri Kibernetike që do të jetë autoriteti kompetent qendror i vendit për siguri kibernetike është në proces të themelimit.”, bëri të ditur shefi i qeverisë.
“Trajtimi me ligj i krimeve kibernetike është një komponent i rëndësishëm në ekosistemin e sigurisë kibernetike. Këtë e kemi bërë përmes plotësim-ndryshimit të kodit penal dhe kodit të procedurës penale për të përfshirë veprat penale që kanë të bëjnë me krimet kibernetike, bazuar në Konventën e Budapestit.”, tha ai.
“Drejt transformimit digjital gjithëpërfshirës, sigurt e të sigurt!”, përfundoi Kurti./Arbresh.info/
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...