Google ADS

Kurti: 1 Maji – thirrje për solidaritet dhe organizim sindikal, vetëm të bashkuar punëtorët mund t’i zmbrapsin punëdhënësit oligark

18:24 | 1 Maj 2024
E.K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka thënë se vetëm të bashkuar, me sindikata të fuqishme dhe me mbështetje të gjerë shoqërore dhe institucionale zmbrapsen tendencat e punëdhënësve oligark për të shfrytëzuar dhe heshtur punëtorët.

Në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka thënë se 1 Maji mëson se vetëm të bashkuar në shoqëri dhe në vendin e punës mund të sigurohen të drejtat e të punohet për një të ardhme prosperuese për të gjithë.

Më tej, Kurti tha se qeveria e udhëhequr prej tij ka ndërmarrë një sërë masash të punësimit, të cilat sipas tij, rezultuan në shtim të punësimit për 70 mijë vende pune në tri vitet e para të qeverisjes.

“E krahas masave për punësim, morëm edhe masa për rritjen e pagave. Në sektorin privat subvencionuam rritjen e pagës për 17 mijë punëtorë, kurse në sektorin publik vitin e kaluar ngritëm pagat për 17% mesatarisht e sivjet edhe për 5% tjera”.

“Për rreth 100 mijë punëtorë të sektorit privat miratuam edhe projektligjin që mundëson rritjen e pagës minimale, dhe zbatimi do të fillojë sapo ligji i votuar në Kuvend të Republikës të zhbllokohet nga Gjykata Kushtetuese”.

“Agjendën e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe punësimit do ta pasurojmë me ndryshimin e Ligjit të Punës dhe Punësimit përmes së cilave do të sigurojmë më shumë të drejta e më shumë mundësi për punësim dinjitoz”, tha tutje Kurti.

Kurti tha po ashtu se sot është dita kur duhet të tregojnë aktualisht por edhe të përkujtohen punëtorët historikisht, teksa përmendi periudhën e antikitetit dhe mesjetës, ku tha se nganjëherë caktoheshin ditët e lira për punëtorët dhe zejtarët.

“Gjatë Revolucionit Francez një ditë pune e muajit shtator u caktua si ditë feste. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shumë gjenerata 4 Korriku u festua edhe si Dita e Punës. Kjo praktikë filloi në vitin 1790 kur disa sindikata u bashkuan zyrtarisht me Shoqëritë Jeffersoniane Republikane-Demokratike që luftonin tendencat aristokrate të kohës”./Arbresh.info

Të ngjashme