Google ADS

Kurteshi: Marrëveshja e demarkacionit nuk ka ndryshuar

00:18 | 21 Shkurt 2018
Trina Galanxhi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se marrëveshja aktuale e demarkacionit me Malin e Zi është e njëjta me atë të 25 gushtit të vitit 2015.

Deputeti i VV-së, ka thënë se në bazë të marrëveshjes mes presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi, del se janë tri vjet të humbura dhe sipas tij, është dyfytyrësi përpjekja që të votohet teksti i njëjtë i marrëveshjes së demarkacionit.

“Marrëveshja e nënshkruar nga Mali i Zi dhe presidenti i ashtuquajtur i Kosovës. Kjo është vetëm një deklaratë, nuk është marrëveshje. Marrëveshja është vazhdimësi e procesit të demarkacionit. Kjo marrëveshje tani e ka kuptimin e demarkimit”, ka thënë Kurteshi.

Ish-komisioni i caktuar për demarkim ka bërë ndryshim kufiri dhe sipas Kurteshit, komisioni i Shpejtim Bulliqit ka konstatuar se ish-komisioni ka bërë lëshime të mëdha. Ka konstatuar se në bazë të gjetjeve.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas Kurteshit, të enjten, do të votojë vetëm për marrëveshjen, por nuk do votojë raportin e Bulliqit dhe marrëveshjen e nënshkruar mes presidentëve, të cilat janë të përfshira në projektligjin e dorëzuar sot në Kuvend.

“Haradinaj ashtu si Thaçi ose kanë këshilltarë injorantë, ose vetë janë, ose kanë pozitë të rëndë sepse e kanë bishtin e rëndë, por raporti i komisionit nuk votohet, votohet marrëveshja. Raportet janë punë e brendshme. Këto raporte mund të mbahen për t’u informuar pjesëmarrësit”, ka thënë Kurteshi.

Kurteshi ka paralajmëruar se deputetët e VV-së nuk do ta votojnë marrëveshjen, ndërsa nuk ka përjashtuar se koalicioni qeverisës mund të ketë disa vota për nga deputetë të partisë së tij.

“Konsiderojmë se kjo marrëveshje nuk duhet të ratifikohet. Tani për tani nuk ka marrë fund. Mali i Zi e di se nuk ka përfunduar pasi ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Asnjë deputet i VV-së deri tani nuk ka shprehur ndryshim të qëndrimit sa i përket marrëveshjes. Pozita e deputetit nuk ka karakter imperativ. Ligjërisht deputetët kanë të drejtë të veprimit autonom, por deputetët e VV-së kanë obligim moral dhe politik që të qëndrojnë besnik me parimet, me të cilat kanë marrë votat”, ka theksuar Kurteshi.

“Është e mundur”, ka thënë deputeti i VV-së kur është pyetur nëse disa deputetë kanë ndërruar mendje për demarkacionin me Malin e Zi./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme