Google ADS

Kurteshi: 4.8 milionë euro investime në transport publik

14:15 | 14 Nëntor 2017
Arbresh.info

Kandidati  për kryetar të Komunës së Gjilanit nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi premton se do të investojë 4.8 milionë në transportin publik, siç e ka quajtur ai “modern” në Komunën e Gjilanit, shkruan arbresh.info.

Ai ka shkruar se Plani i Lëvizjes për rregullimin dhe standardizimin e transportit publik në komunë dhe trafiku urban në qytet do t’i lidhë 95% të banorëve dhe vendbanimeve të komunës së Gjilanit me qytetin, si dhe do të shërbejë edhe për transport midis lagjeve të qytetit dhe qendrës.

Sipas tij, autobusët do të kenë orare fikse dhe standarde evropiane, ndërsa kostoja e një autobusi do të jetë 230.000 euro, me gjithë tatimet dhe shërbimet deri sa një linjë do t’i ketë 3 autobusë.

Ky është shkrimi i plotë i Kurteshit në Facebook:

 

4.8 MILIONË EURO INVESTIME PËR GJILANIN ME TRANSPORT PUBLIK MODERN

Mobiliteti urban është hap i madh drejt zhvillimit. Plani i Lëvizjes për rregullimin dhe standardizimin e transportit publik në komunë dhe trafiku urban në qytet do t’i lidhë 95% të banorëve dhe vendbanimeve të komunës së Gjilanit me qytetin, si dhe do të shërbejë edhe për transport midis lagjeve të qytetit dhe qendrës.

Transporti publik do të ulë koston si dhe kohën e udhëtimit për qytetarët e Komunës sonë, do ta bëjë lëvizjen më të sigurtë, më të parashikueshme dhe do të shkarkojë qytetin nga kaosi në trafik. Transporti publik do të jetë i përballueshëm për të gjitha kategoritë dhe shtresat shoqërore, ndërsa për personat me gjendje të rëndë sociale, për fëmijët deri në moshën 12 vjeç, për pensionistët dhe për personat me aftësi të kufizuara do të jetë falas.

Shërbimi i transportit publik do të jetë i integruar dhe do të ofrohet nga një kompani publike por edhe nga kompani private në partneritet me Komunën.

Autobusët do të kenë orare fikse dhe standarde evropiane. Kostoja e një autobusi do të jetë 230.000 euro, me gjithë tatimet dhe shërbimet. Një linjë do t’i ketë 3 autobusë. Kostoja totale: 4.830.000 euro.

/arbresh.info/

Të ngjashme