Kur pritet të shpallen zgjedhjet

18:55 | 6 Janar 2021
L G

Gjykata Kushtetuese e Kosovës sot ka shpallur aktgjykimin e plotë i cili e shpall jokushtetues votimin e Qeverisë Hoti. Rrjedhimisht, nga sot vendi mund të shkojë në zgjedhje.

Pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese, ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit, Vjosa Osmanit, do të shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Në pritje të këtij vendimi është edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Këtë për Express e ka thënë zëdhënësi i KQZ’,së Valmir Elezi.

“Jemi në pritje të vendimit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Pasi të shpallet data, do të mblidhet KQZ-ja për të marrë vendimet e para në kuadër të përgatitjes së këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Elezi.

Elezi deklaroi se KQZ fillimisht do të vendosë për caktimin e aktiviteteve zgjedhore dhe do të miratohet plani operacional në të cilin parashihen aktivitetet që do të kryhen nga dita e parë e deti në përmbylljen e procesit zgjedhor.

“KQZ-ja, fillimisht vendos për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore, duke i shkurtuar këto afate dhe përshtatur me ditët që do t’i kemi në dispozicion për përgatitjen e zgjedhjeve si dhe do të miratohet plani operacional, ku janë të listuara të gjitha aktivitetet që do të kryhen nga KQZ-ja që nga dita e parë dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka thënë Elezi.

Ndërkohë, para pak ditësh në një komunikatë nga Presidenca është bërë e ditur se menjëherë pas publikimit të plotë të aktgjykimit nga kushtetuesja, ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, do ta caktojë menjëherë datën e mbajtjes së zgjedhjeve.

“Në takime është diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Pas përfundimit të takimeve dhe diskutimeve përmbajtësore me të gjitha subjektet politike u.d. Presidentja Osmani ka theksuar se sapo palët ta marrin Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, menjëherë do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. U.d. Presidentja do të mbajë takime edhe me KQZ-në si dhe institucione të tjera relevante në mënyrë që organizimi i zgjedhjeve të bëhet sipas standardeve më të larta”, thuhej në njoftim.

Të ngjashme