Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha, para disa ditëve ka qenë cak i shumë kritikave, akuzave madje edhe fyerjeve nga persona të ndryshëm.
Kjo për shkak se atij iu publikuan notat e shkollës së mesme gjatë kohës sa Basha ishte duke mësuar në gjimnazin e Ferizajt, ku vërehej se aty kishte nota jo shumë të mira, ndër të cilat spikaste 1-shi në lëndën e Biologjisë, shkruan arbresh.info.
Këto nota, para se të shpërndaheshin nga mediet, u publikuan nga një qytetar i Ferizajt, i cili pretendon se ka qenë shok i shkollës së deputetit në fjalë. Ai madje tha për Bashën se ai deri vonë nuk e ka ditur as alfabetin e gjuhës shqipe dhe ka menduar se i ka 27 shkronja, e jo 36 sa ka në të vërtetë.
E Basha, këto pretendime të ‘shokut’ të tij i ka mohuar, duke deklaruar se atë njeri ai as që e njeh. Megjithatë, dëftesa e shkollës shihej qartë dhe Basha nuk kishte se si ta mohonte edhe faktin që i ka pasur notat jo të mira në shkollë të mesme.
Gjithsesi, çështja kryesore që është në interes të të gjithëve nuk është sa ka mësuar Dimal Basha në shkollë, por a ka relevancë ky fakt në punën që ai bën si deputet i Kosovës, dhe a ka rëndësi ky fakt për qytetarët e Kosovës.
Gjithashtu, shtrohet pyetja, a është cenuar privatësia e Bashës?
Juristi Musa Damati në një bisedë për arbresh.info, këtë publikim të notave të tij nuk e cilëson si të drejtë dhe e sheh si ndërhyrje në privatësinë e tij.
“Mbrojtja e të dhënave private për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës ofrohet dhe garantohet me legjislacionin në fuqi, pra, pavarësisht kampanjave të caktuara dhe interesave të caktuara të grupeve të interesit apo partive politike, të dhënat private asnjëherë nuk ishte dashtë me u përdorë apo me u ekspozu, sepse pavarësisht që është ai deputet, për çdo qytetar në radhë të parë duhet të vlejë parimi i mbrojtjes së privatësisë”, deklaroi Damati për arbresh.info.
Sa ndërlidhen këto nota të tij me funksionin që kryen në Kuvend, është vështirë të gjejmë një përgjigje adekuate e cila do ta arsyetonte këtë ‘lidhje’ nota-deputet.
Kjo ngjallë dyshimin se mos edhe mediet kanë gabuar në publikimin e atyre fotografive.
Për profesorin e gazetarisë, Alban Zeneli, qytetarët nuk e kanë votuar Dimal Bashën dhe deputetët tjerë për shkak të notave të mira, dhe notat e tij nuk kanë fare relevancë në jetën e njerëzve, andaj edhe mediet kanë gabuar me publikimin e atyre notave.
“Notat e shkollimit të deputetëve, edhe zyrtarëve të tjerë janë të dhëna krejtësisht private dhe nuk duhet të publikohen derisa nuk ka një interes të lartë publik për to. Legjislacioni ynë aktual, nuk kërkon nga deputetët ndonjë notë të caktuar mesatare për tu kualifikuar në garë për deputet, ministër, a kryeminister. Pra, qytetarët i kanë zgjedh këta persona në këto pozita jo për shkak të notave, prandaj, publikimi edhe në kontekst të mbrojtjes së kauzës së grevave është gabim. Njëjtë sikurse që ishte gabim, publikimi i notave të kryeministrit Kurti, për ta paraqitur atë si ‘super të dijshëm’,” deklaroi Zeneli.
Për avokatin Musa Damati, para së gjithash, Basha është qytetar i Kosovës, dhe privatësia e tij dhe e gjithë qytetarëve të tjerë nuk bën të cenohet për interesa të caktuara politike e shoqërore.
“Partitë politike dhe grupet e interesit në asnjë mënyrë nuk duhet që për qëllime apo agjenda të veta ditore të keqpërdorin të dhënat private të qytetarëve të Kosovës, sepse më të rëndësishëm se agjendat e tyre janë qytetarët dhe privatësia e tyre”, përfundoi Damati për arbresh.info.
Ndërkohë, profesori Zeneli tregon rastet e vetme kur është në rregull të publikohen notat e zyrtarëve publik, dhe jashtë atyre rasteve, çdo publikim tjetër përmban shkelje etike.
“Të dhënat e notave të zyrtarëve publik, ka kuptim të publikohen në rastet kur po e zëmë paraqesin shkelje të një kriteri të përzgjedhjes, kur po e zëmë një zyrtar keqpërdorë funksionin e tij me i përmirësu notat e veta apo të ndonjë familjari. Deri në këto raste, apo të ngjashme, qofshin nota të mira, qofshin nota të dobëta gjatë shkollimit, ato përbëjnë të dhëna personale të këtyre zyrtarëve dhe publikimi përbën më së paku shkelje etike”, theksoi Zeneli.
Kjo nuk është hera e parë që publikohen dokumente të së kaluarës për ndonjë nga njerëzit që mbajnë poste publike, siç është ai i deputetit.
Natyrisht, kjo nuk paraqet asnjë ndikim në punën që ai kryen, dhe nuk ka asnjë pengesë për funksionimin e drejtë të deputetëve dhe institucionit më të rëndësishëm në vend, Kuvendit./EmirAbduramani/arbresh.info/
Hoti: Të fokusohemi në ekonominë e vendit, është humbur shum...
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...
Gjykata Kushtetuese merr vendim për Berishën
Pacolli të shtunën takim humanitar në Gjermani