Partitë politike janë në pritje të certifikimit të rezultateve finale nga KQZ, që pastaj do t’i hapej rrugë formimit të institucioneve të reja.
Njohës së aktualitet vlerësojnë nevojën për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë, meqë sipas tyre zvarritja e këtij procesi shkon në dëm të qytetarëve të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi po mbajnë takime për të harmonizuar programet e tyre, meqë synojnë të arrijnë një koalicion qeverisës.
Por për nënshkrimin e një marrëveshje finale, ata po presin certifikimin e rezultateve përfundimtare nga KQZ, institucion ky i cili pas zgjedhjeve të 6 tetorit ka vendosur për të rinumërojë gati gjysmën e vendvotimeve, për shkak të parregullsive që kanë hasur.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë që aktualisht KQZ po e zvarritë shpalljen e rezultateve përfundimtare.
Ai thotë se formimi i institucioneve nuk duhet të vonohet, por që kjo varet nga puna e KQZ-së dhe dinamika e harmonizimit të programeve të dy subjekteve politike fituese.
“Pra varet nga puna e KQZ-së dhe dinamika e koordinimit, harmonizimit të programeve të dy subjekteve politike fituese, në mënyrë që procesi të shkurtohet. Do të ishte mirë që brenda këtij afati derisa ndodhë certifikimi i rezultateve të përfundoheshin të gjitha bisedat lidhur me përputhjen, harmonizimin e programeve, për një program të përbashkët me një platformë bashkëqeverisje të këtyre dy subjekteve në mënyrë që mos të vazhdohet pastaj zvarritja e procesit të konstituimit të Kuvendit, formimit të qeverisë dhe emërimit të kryeministrit. Prandaj, varet nga KQZ, nga partitë politike që pas konstituimit, pas konfirmimit të rezultateve do ta zvarrisin procesin me ankesa te tyre, sepse kanë të drejtë të ankohen edhe në panelin zgjedhor edhe në shkallë ne dytë në institucionet gjyqësore”, thotë Baraliu.
Baraliu vlerëson se janë shterur të gjitha burimet ankimore në kuptimin e ankesave dhe nuk ka më arsye që të vonohet procesi.
“Çdo zvarritje ka pasoja të mëdha për qytetarët, ka pasoja për qeverisjen e ardhshme, sepse e para e punës që do të duhej të jetë në Kuvendin e ri dhe në qeverinë e re, do të duhej të ishte miratimi, gjegjësisht përgatitja dhe miratimi i ligjit për buxhetin e Kosovës në vitin e ardhshëm. Këtu kemi ngecje në afate sepse jemi në fund të vitit fiskal dhe disa pagesa e disa procese ndërpriten në mbarim të nëntorit e fillim të dhjetorit, andaj është koha që mos të zvarrisë askush procesin, mos t’i kontribuojë vonesave sepse janë në dëmë të të gjithëve dhe për të mirën e askujt”, thotë ai.
Ndërkohë, njeriu më i votuar në zgjedhjet e 6 nëntorit, Albin Kurti, i cili synon të jetë shef ekzekutivi, në një intervistë për Alsat ka deklaruar se në nëntor pret të marrë postin e kryeministrit.
Por analisti Rasim Alija thotë që gjasat reale janë që muaji nëntor të shkojë vetëm rreth harmonizimit të programeve mes dy partive dhe shpalljes përfundimtare të rezultateve nga KQZ.
Formimin e qeverisë së re ai e sheh në dhjetor.
“Gjasat më të mëdha që janë që të bëhet qeveria e re dhe paraprakisht konstituimi i Kuvendit, që t’i hap rrugë pastaj qeverisë së re, mund të jetë fillimi i dhjetorit, jo gjatë muajit nëntor, jo në kuptimin sepse e shohim që ende nuk kemi rezultate përfundimtare të shpallura nga KQZ, nga organi i cili i ka menaxhuar zgjedhjet. Shto këtu faktin e procesit të ankesave, rinumërimeve nga ana e KQZ-së dhe shto këtu edhe faktin tjetër e dakordimit të programit në mes të Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje, shto këtu edhe elementin tjetër që jo rrallë, e shumë shpesh, gjatë konstituimit të Kuvendit dhe gjatë formimit të qeverisë së re kanë dalur në pah edhe pazare të tjera, nuk pres që deri në fillim të dhjetorit të kemi një qeveri të re”, thotë ai.
Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ, afati ligjor për të mbajtur mbledhjen e parë konstituive në Kuvend është 30 ditë pas ditës së certifikimit, dhe brenda kësaj periudhe duhet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, ku do të bëhej konfirmimi i mandateve dhe dhënia e betimit.
Kushtetuta thotë që atë seancë duhet ta thërrasë presidenti i vendit, por nëse ai nuk mund ta bëjë, atë mund ta bëjë vet Kuvendi, legjislatura e shtatë e tij.
Në atë seancë mund të jetë në rend dite edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, nëse koalicioni qeverisës merret vesh për këtë, e zgjedhja e tij dhe nënkryetareve, bëhet me shumicën e votave të deputetëve.
Në nenin 95, Kushtetua thotë që pas konsultimit të presidentit me partinë më të madhe ose koalicionin që ka shumicën e votave nga zgjedhjet e fundit, do të duhej që t’i propozohej presidentit të vendit kandidati për mandatar dhe atë kandidat presidenti ta mandatojë, e i njëjti ka e ka afatin ligjor brenda 15 ditësh që Kuvendit të ia ofrojë përbërjen e plotë të kabinetit qeveritar.
Nëse këtë nuk e arrin mandatari i parë i caktuar, atëherë presidenti detyrohet në afat prej 10 ditë tjera të mandatojë një tjetër kandidat për kryeministër dhe nëse ai nuk arrin brenda 60 ditësh të bëjë një strukturë që pranohet në Kuvend, atëherë ligji thotë që duhet të shkohet në zgjedhje të reja.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama ndan fotot: U mbështet p...
Izraeli konfirmon sulmet në portet dhe infrastrukturën energ...
LDK sot mban Forumin e Rinisë
Kush janë imigrantët që mund t’i prekë plani i Trumpit...
Horoskopi ditor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj
Analistët: Rebelët sirianë, qasje të ngjashme me Talebanët n...