Kupchan: Dy kërkesat e Kurtit të arsyeshme, por s`ka zgjidhje me ultimatume

10:33 | 27 Qershor 2024
A Z

Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është dashur të refuzojë të bisedojë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e thirrur më 26 qershor nga Bashkimi Evropian.

Një gjë e tillë, sipas tij, “nuk shkon në dobi të Kurtit”.

“…sepse, nën një, Kosovën e portretizon si palë më kokëfortë dhe, nën dy, mosmarrëveshjet afatgjate nuk zgjidhen kurrë me ultimatume”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha të mërkurën se Kurti e kushtëzoi vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me tri kërkesa: nënshkrimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatojë marrëveshjen me Kosovën dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.

Borrell tha se Vuçiq nuk ishte i gatshëm t’i pranonte plotësisht kushtet e Kosovës.

Megjithatë, Kupchan i ka vlerësuar të arsyeshme dy prej kërkesave të Kurtit të parashtruara në Bruksel. “Mendoj se dy prej tyre janë të arsyeshme – një duhet të shqyrtohet. E arsyeshme është kërkesa [për dorëzimin e] Radoiçiqit, i cili ka pranuar se ka marrë pjesë në gjakderdhjen në Banjskë. Qoftë autoriteti ligjor i Kosovës ai që vepron, apo autoriteti ligjor i Serbisë, ai është një individ që duhet të sillet para drejtësisë. Kërkesa e dytë e arsyeshme ka të bëjë me letrën [e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq]. Mendoj se ajo letër është provokuese, në mënyrë të panevojshme, sepse Marrëveshja e Ohrit nuk specifikon njohjen, nuk specifikon se Serbia duhet ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur, por fokusohet në normalizim. Ne e dimë se normalizimi është hap drejt njohjes përfundimtare, por nuk është produktive për Serbinë që të nxjerrë një deklaratë të tillë bardh e zi”, tha Kupchan.

Sa i përket këmbënguljes së Kurtit që Vuçiq ta nënshkruajë marrëveshjen, ai ka thënë se ky është një argument më i dobët. “Sepse, sipas mendimit tim, Vuçiq me të drejtë beson se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përpara se ta formalizojë marrëveshjen”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme