Google ADS

Kundërshtitë me vizat

09:34 | 9 Korrik 2019
Arbresh.info

Zyrtarët qeveritarë të Kosovës po paraqiten krejtësisht të çakorduar për çështje të rëndësishme për vendin, duke krijuar kështu huti te qytetarët. Derisa kryeministri Ramush Haradinaj deklaron se këtë vit hiqen vizat me BE-në, të kundërtën e thotë zëvendësministri i Integrimeve Lirak Çelaj. Edhe vendimin e Ministrisë së Jashtme për moslejimin e hyrjes në vend të zyrtarëve serbë e ka demantuar shefi i ekzekutivit në Prishtinë, shkruan Gazeta Zëri.

Gjatë muajve të fundit kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në vazhdimësi ka uruar qytetarët e Kosovës për heqje të vizave. Në fillim të këtij viti shefi i ekzekutivit pati thënë se në qershor (muajin e kaluar) merret vendimi për liberalizim, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi. Megjithëkëtë Haradinaj nuk u ndal së premtuari.

Në qershor përmendi edhe një muaj tjetër si afat optimal për të ndodhur liberalizimi i vizave.

“Mundësitë janë shumë reale që do të merret vendimi në shtator. Nuk do të kishte logjikë që Këshilli i Ministrave të na vonojë më shumë këtë vendim”, qe shprehur i pari i Qeverisë.

Por teksa ka folur rreth liberalizimit zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, ka thënë se Kosova i ka përmbushur kriteret, mirëpo disa shtete të BE-së ende po vazhdojnë të jenë skeptike sa u përket vizave.

Ndaj Çelaj ka pohuar se mund të ndodhë që gjatë 2019-s të mos ketë fare liberalizim.

Pavarësisht kësaj gjatë javës së kaluar kryeministri Haradinaj tha se është arritur progres i dukshëm lidhur me këtë proces.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme