Kundërshtimet për Asociacionin, përplasje për kompetenca

19:33 | 6 Prill 2018
Arbresh.info

Me riaktivizimin e Ekipit menaxhues, i cili do të bëjë draftimin e statutit për Asociacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, Qeveria e Kosovës ka bërë hapin e duhur në drejtim të përmbushjes së marrëveshjes së Brukselit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se “drafti final i statutit, në fund të procesit bashkë me direktivën, do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për t’u siguruar se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Por, përfaqësuesit e Listës Serbe dhe autoritetet e Beogradit e kanë cilësuar të papranueshme këtë nismë të Qeverisë së Kosovës. Përfaqësuesit e Listës serbe kanë theksuar se Ekipi menaxhues duhet të jetë i përbërë prej katër përfaqësuesve serbë dhe se nisma e Qeverisë është “pa ndonjë dëshirë që marrëveshja e Brukselit të realizohet konkretisht”.

Shefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Prishtina “dëshiron ta formojë Bashkësinë, e cila do të ngjante në diçka boshe”. “Ne dëshirojmë Bashkësinë e komunave serbe, e cila do të ketë fuqi esenciale”, ka thënë Gjuriq.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë e vlerëson nismën e Qeverisë së Kosovës për draftimin e statutit të Asociacionin, duke thënë se kjo do të bëhet në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, gjë që qëndron edhe në marrëveshjen e Brukselit, të gushtit të vitit 2015. Kundërshtimet e Listës Serbe dhe të autoriteteve të Beogradit, ai i vlerëson si politike dhe jo substanciale, për shkak se në këtë fazë askush nuk e di saktësisht se çfarë do të përmbajë dokumenti.

“Sa i përket Kosovës, karshi Brukselit dhe bashkësisë ndërkombëtare, ne po i kryejmë obligimet tona që i kemi marrë. Ndërsa, kundërshtimi i serbëve duhet të jetë konkret dhe në pikat që do të miratohen. Në këtë moment, kundërshtimi është vetëm për sa i përket parimit dhe iniciativës, sepse ata thonë që ‘ne dëshirojmë që të bëhet në bazë të marrëveshjes së Brukselit’. Mirëpo, kur të bëhet dokumenti, do të shihet se a është në frymën e Brukselit dhe në parimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse unë mendoj që kjo është e mundur”, tha Tahiri.

Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë  se kundërshtimi i Listës serbe dhe i Beogradit zyrtarë lidhur me nismën e Qeverisë së Kosovës është joparimor. Sipas tij, në vet marrëveshjen e Brukselit, qëndron qartë se pasi që marrëveshja të arrihet, ajo shkon në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e saj nëse është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. E njëjta gjë, siç thotë ai, vlen edhe për statutin e Asociacionit.

“Zgjidhjet e tilla, pikërisht flasin se e gjithë kjo duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Pra, ekspertët serbë që kanë qenë në Bruksel, thjesht, duhet thënë se kanë qenë të paaftë ose joprofesional, sepse është dashur menjëherë ta shohin se për çka bëhet fjalë. Bashkësia e komunave serbe, pavarësisht se kurdo që do të nisë, ajo do të jetë gjithmonë në një proces të rishikimit se a është apo jo në përputhje me ligjet e Kosovës”, tha Nojkiq.

Ai ka shtuar se edhe ultimatumi nga Lista Serbe se në rast se Qeveria e Kosovës nuk e formon Asociacionin deri më 20 prill, do ta themelojë vetë atë, është qasje e gabuar, e cila mund të sjellë një varg komplikimesh.

“Mirë pra, si do të funksiononi ju? Si do të financoni dhe si do të qarkullohen paratë? Kjo është esenca, cilat do të jenë kompetencat tuaja”, ka ngritur pikëpyetjet Nojkiq.

Ndërkaq, politologu Tahiri shpreh mendimin se veprimi i njëanshëm eventual nga Lista Serbe për formimin e Asociacionit, do të kishte pasoja për vetë procesin.

“Nëse do të ketë nga Lista Serbe tentativë që ta themelojë vet Asociacionin, atëherë do të bllokohet procesi dhe do të zvarritet disa vjet. Unë mendoj që nuk do ta bëjnë një gjë të tillë. Ndërsa, se a do të ketë kompetenca ekzekutive apo jo, në marrëveshje shkruan se do të ketë mbikëqyrje të kompetencave dhe koordinim. Tash, sa konsiderohen që janë ekzekutive ose jo, varet, kur të bëhet dokumenti themelor dhe final”, tha Tahiri.

Sidoqoftë, më herët zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të bëhet vetëm sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese dhe nga institucionet legale të Kosovës. Siç kanë theksuar ata, çdo iniciativë e njëanshme do të jetë e dënuar për dështim./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme