Kullat janë objekte të fortifikuara, në të cilat kanë banuar familjet shqiptare. Gjeneza e tyre është e hershme që nga objektet e gurit. Prej fillimit të shekullit 18-të e deri më sot, kullat kanë evoluuar dhe tashmë ato janë cilësuar si objekte të trashëgimisë kulturore dhe historike.
Në Komunën e Deçanit, deri në vitin 1999 kanë ekzistuar 263 kulla. Gjatë luftës në Kosovë, të gjitha kullat, kanë qenë cak i sulmeve nga forcat serbe.
Arkitekti, Shkëlzen Shehu, zyrtar në Drejtorinë për urbanizëm në Komunën e Deçanit, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë komunë kanë shpëtuar vetëm 4 kulla me dëmtime të vogla. Rreth 70 kulla janë shkatërruar tërësisht. Të tjerat, siç thotë Shehu, janë dëmtuar në masë të madhe ose pjesërisht.
“Objektet kulla, për shkak të fortifikimit, kanë qenë cak i dëmtimeve. Kanë qenë qëllimisht të shkatërruara. Trashëgimia kulturore dhe historike që e kemi pasur në këto anë, është shkatërruar qëllimshëm”.
Shehu ka shtuar se pas luftës, me ndihmën e Bashkimit Evropian, është bërë rindërtimi apo meremetimi i 4 kullave në komunën e Deçanit dhe një tjetër në komunën e Pejës.
Gjithashtu, me ndihmën e disa donacioneve, por edhe të Ministrisë së Kulturës të Qeverisë së Kosovës, janë riparuar dhe restauruar edhe një numër i vogël kullash në këtë komunë.
Në Kosovë, kullat kishin nisur të ndërtohen në numër më të madh në fillimin e shekullit 18 nga familjet e pasura dhe që kanë pasur deri në 30 anëtar. Kullat fillimisht ishin ndërtuar nga mjeshtrit shqiptarë nga Dibra, të njohur asokohe si latues të shkathtë të gurit. Më pas mjeshtëria ishte përvetësuar edhe nga vendorët.
Kullat janë objekte prej 2 deri në 4 kate dhe ndërtimi i tyre ka zgjatur rreth 5 vjet. Në përgjithësi, ekzistojnë dy lloje kullash, me të ashtuquajturin “dyshekllëk” të gurit dhe të drurit.
Kulla e familjes Osdautaj nga fshati Isniq i Deçanit, e ndërtuar në fillim të shekullit 18, është ndër të paktat që i mbijetuan luftës dhe kohës. Është katër katërshe, e rinovuar pas luftës. Vazhdon të jetë e banueshme. Muret e jashtme të kullës janë të gjera rreth 1 metër.
Ajo fortifikohet përmes derës në katin përdhes, ku dikur ishte hapësirë për strehimin e bagëtive. Ndërkaq, sot është shndërruar në një tip i muzeut të vogël me artefakte. Ka edhe dy hyrje tjera, për meshkujt dhe për femrat. Sipas traditës, ato ruajnë intimitetin e banorëve dhe mysafirëve. Po ashtu sipas traditës, në katin më të lartë, është oda e burrave.
Rexhep Maksutaj, njohës i trashëgimisë kulturore, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se pavarësisht se kulla ka qenë e fortifikuar, hyrja deri në odën e burrave nuk është mbyllur kurrë, madje as për njerëzit me të cilën familja mikpritëse ka pasur hasmëri.
“Në kullat e shqiptarit, në odë të burrave, ka qenë i gatshëm gjithmonë për ta pritur mysafirin. I ka siguruar një strehë, një zjarr, por edhe një kafshatë bukë”.
“Oxhaku simbolizon edhe familjen, sepse themi se është një oxhak, një tym, që tregon se është një familje që jeton aty”.
Maksutaj shton se roli i kullave sot është më i zbehur, por dikur ato kanë qenë simbol i traditave të banorëve të vendit.
“Prej këtu, ka marrë rrugë vdekja, dasma, gëzimi, hidhërimi. Këtu ka filluar lufta. Këtu ka marrë rrugë edhe kënga lirike, idilike. Këtu ka marrë rrugë edhe kënga e trimërisë. I riu është edukuar në frymën e patriotizmit dhe në frymën se si ta mbrojë vendin e vet”.
Para luftës së vitit 1998 dhe 1999 në Kosovë, llogaritet se në gjithë vendin ka pasur rreth 700 kulla, si objekte monumentale që paraqesin një pjesë të trashëgimisë kulturore. Sot, numri i tyre është simbolik.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?