Kulina, Dardana apo Kamenica e sotme – Historia e gjetjes së mbishkrimeve ilire në njërën nga qytezat më të lashta në Kosovë

15:12 | 31 Mars 2024
E.H

Dardana ose ndryshe Kamenica e sotme është një qytezë, cila ndodhet në lindje të Kosovës.

Kamenica kufizohet me Ranillugun në jug, Gjilanin dhe Artanën në perëndim, me Prishtinën në veriperëndim dhe me Serbinë në veri dhe lindje, raporton Arbresh.info.

Në qytetin e Kamenicës dhe në 58 fshatrat përreth, jetojnë mbi 36 mijë banorë, ku përveç shqiptarëve këtu jetojnë edhe qytetarë nga komuniteti serb, rom, boshnjak, goran, dhe turq.

Profesori, Shaban Berisha për Arbresh.info tregon historinë e emrit, kulturën dhe gjithë zhvillimin që përkufizon këtë qytetës.

Berisha tregon se emri i vjetër i Kamenicës në të kaluarën e largët ishte Kulina.

“Kamenica është një emër i ri ndërsa emri i vjetër i Kamenicës është Kulinë që vjen nga koha e Dardanëve dhe shpjegohet me anë të gjuhës shqipe. Kulina (Kamenica e tashme) bënë pjesë në Dardaninë qendrore që rrethohet me dy vendbanime po ashtu të lashta Damastionit në perëndim dhe Gurasantin në lindje”, shprehet Berisha.

Sipas tij, në Kulinën e atëhershme, apo Kamenicën e sotme, janë gjetur gurë me mbishkrime ilire të cilat ende ruhen në muzeun arkeologjik në Shtëpinë e Kulturës në Kamenicë.

“Në afërsi të Kulinës ka pasur një bujtinë që ka pasur venë me pi, që është njeriu me plis duke pirë me venë të kaut. Këpucët simbolizojnë që mund të kalosh natën. Kjo simbolizon që mund të darkosh të hash një ushqim. Kjo është një reklamë e kohës së vjetër që tregon se në atë bujtinë ka pas tri shërbime”, thekson Berisha për Arbresh.info.

Në qytetin e Kamenicës pas luftës së dytë botërore ka qenë e zhvilluar industria e jometaleve, sidomos e qeramikës dhe e magnezit. Ndërsa, pas përfundimit të luftës së fundit, sipas Berishës ato fabrika janë shitur ose janë shndërruar në restauronte.

“Tash nuk ka industri në Kamenicë, janë disa industri të vogla si prodhimi i kërpudhave, janë ferma blegtorale” tregon Berisha.

Në anën tjetër, zyrtari i trashëgimisë kulturore në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Kamenicës, Petrit Matoshi për Arbresh.info tregon rreth trashëgimive arkeologjike të Kamenicës së lashtë.

“Sa i përket Kamenicës si vendbanim i lashtë për këtë na dëshmojnë më së miri pjesa e arkeologjisë, pra dy kilometra në veri të qytetit kemi kalanë e Kamenicës, Dardanës e cila është dëshmia më e madhe për një qytetërim për një vendbanim të lashtë. Ndërsa sa i përket fshatrave në rrethinë pothuajse të gjitha fshatrat më të banuara më të mëdha kanë lokalitetet e tyre arkeologjike qoftë kala, grabina, kështjella apo qoftë artefakte të cilat në themelet e shtëpive ku ndërtohen. Kjo është sa i përket trashëgimisë arkeologjike, ndërsa sa i përket trashëgimive arkitektonike pjesa e qytetit të Kamenicës është më e varfër”, thotë Matoshi.

Qyteti i Kamenicës, sipas tij, është ngritur në mesin e shekullit të kaluar me periudhën e industrializimit, ndërtimit të fabrikave si dhe me vendimin e shpalljes si komunë.

‘Në periudhën e pasluftës kemi një zbehje sa i përket industrializimit, shumica e fabrikave mbyllen ndërsa tash e tutje është një qytezë e vogël që merret me veprimtari të ndryshme” , thekson ai.

Ndryshe, Kamenica ka një sipërfaqe prej 424 kilometra katrorë. Në këtë komunë ekziston një numër i madh i bizneseve të vogla kurse bizneset më të mëdha janë në pronësi shtetërore të cilat ose janë mbyllur ose funksionojnë nën konceptin e tyre.

Shumica e ndërmarrjeve në Kamenicë merren me ndërtimin dhe rindërtimin si fabrika e tullave, fabrika e tjegullave, guroret, metali e kështu me radhë mirëpo dy fabrikat më të mëdha në këtë komunë ajo e tullave dhe përpunimit të magneziumit nuk janë më duke punuar më./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme