Kujtim Gashi: Personi i arrestuar për abuzimin e dy milionë eurove, lidhje me LDK-në

21:39 | 21 Tetor 2020
Arbresh.info

Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi ka folur për ngjarjen e sotme që ka ndodhur në Thesarin e Kosovës, ku është raportuar se janë abuzuar me dy milionë euro.

Gashi në “Debat Plus” në RTV Dukagjini thotë se personi i arrestuar sot, e që dyshohet se ka abuzuar me dy milion euro nga Thesari i Kosovës asnjëherë nuk ka qenë anëtari i PDK-së.

“Motra e tij ka qenë anëtare e Këshillit Qendrorë të LDK-së në Drenas dhe po ashtu ka edhe lidhje tjera me zyrtarë të LDK-së. Ai nuk ka asnjë lidhje me partinë tonë, PDK. I mbetet institucioneve ta hetojnë këtë vepër kriminale që na ka shqetësuar të gjithëve”, tha ai.

Deputeti i PDK-së thotë se më e pakta në shenjë akti moral Ministrja e Financave do të duhej të jepte dorëheqje.

Edhe Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci përmes një postimi në Facebook ka sqaruar angazhimin e personit në fjalë në Komunën e Drenasit për rreth nëntë muaj.

“Lajm befasues se është paraburgosur ish drejtori i liruar nga departamenti i Buxhetit dhe Financave, për gati 9 muaj në komunën e Drenasit. Puna e tij në komunën tonë, gjatë vitit 2018, ka qenë e lidhur me përvojën e tij në Ministrinë e Financave, ndërsa ndërprerja e marrëdhënies së punës në Komunë, ka qenë për shkaqe personale.

Fotografia ime e publikuar nëpër media bashkë me z. Gruda, është fotografi gjatë dëgjimeve buxhetore, pra, nuk është e lidhur me aktivitetet partiake. Lidhja e emrit të tij me punën në komunë gati nëntëmujore në Drenas dhe si anëtar i PDK-së, është e pavërtetë. Nga dita e largimit të tij nga komuna, ai nuk kishte asnjë qasje profesionale as përgjegjësi.

Besimi ndaj organeve të gjurmimit, hetimit dhe zbatimit të drejtësisë, është e paluhatshme!”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme