Ku i dërgoi UÇK-ja dy ushtarakë serbë që i zuri robër në Koshare

23:45 | 11 Prill 2018
M. A.

Anton Quni, një nga protagonistët e betejës së Koshares, ka kujtuar në Interaktiv të KTV-së momente nga përballja me forcat ushtarake serbe.

Ai ka treguar se gjatë luftimeve, UÇK-ja kishte arritur të kapte robër dy ushtarakë serbë. Këta ka treguar se UÇK-ja i ka shkëmbyer me katër ushtarakë amerikanë.

“Kohë pas kohe u kemi bërë thirrje të dorëzohen. Kanë pas një paragjykim se ne nuk do të sillemi sipas konventave për robër. Në një situatë është zënë rob një ushtar i trajnuar dhe i përgatitur për operacione komando. Ka pas të kryer përgatitjet ushtarake. I dyti ishte ushtari në shërbim. Të dytë nëpërmjet njësive tona përgjegjëse, janë trajtuar, janë marrë shënimet aq sa lejohet. Kemi marrë informata për moralin e ushtarëve serbë, për arritjet e tyre, si e shohin nga pozicioni i tyre forcën tonë, si i kanë humbjet, si i bëjnë ndërrimet, si i kanë organizimet. S’ka pas nevojë fare as për dhunë as për me ngrit zërin. Të gjitha që i kanë ditë na i kanë treguar dhe ne i kemi përdor për të zhvilluar operacionet. Këta robër lufte u janë dorëzuar Shqipërisë në Kukës, e më pas tek autoritetet e ushtrisë amerikane. Aq sa kam informata kanë qenë të izoluar në një bazë ushtarake amerikane diku në regjionin e Frankfurtit dhe pas luftës përmes një kleri fetar janë shkëmbyer në Suboticë me katër ushtarë amerikanë që ishin zënë robër lufte në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë. U janë kthyer familjeve të veta”, ka shpjeguar Quni.

Sa i përket betejës së Koshares në përgjithësi, Quni ka thënë se aty u shkaktua një prej humbjeve më të mëdha të Serbisë. Ai ka thënë se Serbia e pranon humbjen në këtë betejë madje edhe duke e quajtur “ferri i Koshares”, por shton se suksesi i atribuohet forcave të huaja dhe jo UÇK-së. Kjo, sipas Qunit, nuk ekziston.

“Nga turpi që ta arsyetojnë humbjen ata nuk ia lënë meritat djemve dhe vajzave të Kosovës, por meritat për humbjet ua lënë njësive të specializuara të partnerëve tanë të NATO-s e Amerikës, duke u thirrur se në këtë betejë kanë marrë pjesë eprorë të lartë të njësive të huaja. Aty ka pas të huaj, por ishin njerëz të udhëhequr nga ideali i tyre. Kanë qenë 16 ushtarakë të huaj, disa pa përvoja fare ushtarake. Disa me njohuri të ndryshme. Sidoqoftë jemi mirënjohës ndaj tyre, por nuk kanë qenë determinues për suksesin e brigadës”, ka shtuar Quni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme