Kosova nuk ishte në agjendën e Këshillit të Evropës, megjithëse Asambleja Parlamentare e rekomandoi anëtarësimin e saj.
Intervistë me historianin dhe ekspertin e Ballkanit Konrad Clewing.
Kosova nuk ishte në agjendën e Këshillit të Evropës(KiE), megjithëse Asambleja Parlamentare e KiE rekomandoi anëtarësimin e Kosovës me 82 për qind. Ku qëndron gabimi?
Konrad Clewing: Kosova bëri shumë gabime. Së pari, u mbështet në faktin se partnerët perëndimorë të Kosovës, duke parë politikën serbe, do të hapnin rrugën për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Gabimisht mendoi se tri fuqitë e mëdha të BE-së do të ndihmonin në minutën e fundit.
Së dyti, qeveria e tanishme dhe ato të mëparshme nuk zhvilluan një plan për Asociacionin e Komunave pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Të mendosh se kjo çështje do të zgjidhet vetvetiu është naive dhe një gabim i madh politik. Kjo u dha hapësirë aktorëve perëndimorë – nga Lajčak deri te liderët në Berlin, Paris dhe Romë – për të ndërhyrë. Parakushti për të paraqitur planin e Lajčak pa negociata të mëtejshme me dhe në Kosovë në Gjykatën Kushtetuese ishte një ndërhyrje që meriton kritikë. Letra e tre liderëve drejtuar Kurtit më 15 maj ishte gjithashtu shumë e ashpër. Megjithatë: Nëse qeveria do të kishte vepruar më herët, kjo mund të ishte shmangur.
Së treti, veprimet e javës së kaluar nga Ministria e Jashtme erdhën shumë vonë dhe pa shumë përmbajtje. Është e pakuptueshme se si mund të besohej se në minutën e fundit Gjermania, Franca ose Italia dhe gjithë QUINT do të ndryshonin mendjen dhe të pranonin një plan ende të papërfunduar si ai i Fondacionit FES.
Kush duhet të mbajë përgjegjësi?
Në Kushtetutën e Kosovës thuhet: presidenti udhëheq politikën e jashtme të vendit; qeveria propozon dhe zbaton politikën e jashtme të vendit; kuvendi mbikëqyr politikën e jashtme dhe të sigurisë. Është një shenjë e keqe që presidentja, sipas deklaratës së saj, nuk u konsultua për hapin e rëndësishëm të ministres së Jashtme. Është gjithashtu një shenjë e keqe që shumica qeverisëse në parlament ka pak ekspertizë ndërkombëtare. Por është e qartë: Përgjegjësia kryesore për mungesën e përgatitjes së një plani për Asociacionin e Komunave dhe për prezantimin e dobët të qëndrimeve te partnerët është e qeverisë. Pra, te Ministria e Jashtme dhe kryeministri. Nëse kanë kontribuar këshilltarë të jashtëm, mund të thuhet se nuk bënë një punë të mirë. Por përgjegjësia kryesore për rezultatin e dobët është te qeveria.
Ish i ngarkuari i ish-presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka falënderuar sidomos Melonin në një postim në X për letrën që krerët e qeverive dërguan Kurtit. A është kjo serioze apo vetëm postime për fushatë zgjedhore?
Nuk dua të komentoj motivet e z. Grenell. Por pyetja na bën të mendojmë se sa e rrezikshme është për qeveritë evropiane dhe për ato të vendeve të vogla që të mos shqetësohen për turbullirat dhe paparashikueshmërinë që mund të sjellë fitorja e mundshme e Trump-it në vjeshtë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Kurti po shqyrton mundësinë e zgjedhjeve të parakohsme. Çfarë mund të përfitojë kampi i tij nga ky hap?
Nëse kryeministri Kurti e ndjek me vendosmëri këtë qëllim, ai llogarit se ai dhe partia e tij mund të fitojnë mbështetje nga votuesit për sukseset, veçanërisht në dobësimin e institucioneve serbe në veri të vendit dhe në çështje si valuta në të gjithë vendin. Në planin e brendshëm, qeveria ka disa suksese – por në luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të përditshme të jetesës, performanca është e dobët. Në politikën e jashtme, ai mund të spekulojë se partnerët perëndimorë do të zbusin kritikat e tyre nëse rizgjidhet dhe mbetet partneri kryesor në Kosovë. Ka gjasa që partnerët perëndimorë të shpresojnë për zgjedhje të reja për të gjetur një partner më të përshtatshëm. Qeveria aktuale ka shkaktuar shumë zemërim te aleatët me qasjen e saj jo diplomatike./Dw
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...