Kthehet në rivendosje çështja ndaj Salih Mekajt

13:19 | 25 Maj 2017
arbresh.info

Kolegji i Departamentit të Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit e ka anuluar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të marrë më 16 shkurt 2017, me anë të të cilit ishte refuzuar kërkesa për hedhjen e aktakuzës ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj dhe tre të akuzuarve tjerë Vlora Gorani, Mentor Seferaj dhe Ali Seferaj.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zyrtari për informim publik në Gjykatën e Apelit, Arbër Jashari. Ky i fundit bëri të ditur se të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre kishin bërë ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, më anë të të cilit ishte refuzuar kundërshtimi i provave në aktakuzë dhe hedhja e së njëjtës. Sipas Jasharit, kjo ankesë është aprovuar, dhe çështja i është kthyer shkallës së parë në rivendosje.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, gjyqtari i çështjes, Shashivar Hoti tha se ka kaluar vetëm një ditë që kur e ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit të marrë më 17 maj, dhe se pas rishikimit të lëndës, brenda një kohe të shkurtër do të vendoset përsëri.Kërkesa për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës ishte bërë në shqyrtimin e dytë të mbajtur më 30 janar të këtij viti.Ndërkaq, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 30 nëntor 2016, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj dhe tre të akuzuarit tjerë Vlora Gorani, Mentor Seferaj dhe Ali Seferaj, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen, transmeton arbresh.info.

Ndryshe, ky proces gjyqësor po mbahet larg syve të publikut për shkak të vendimit të gjykatës për ta mbyllur atë për median dhe publikun.Aktakuza në këtë rast ishte ngritur më 31 maj 2016.

Sipas aktakuzës i pandehuri Salih Mekaj, në cilësinë e personit zyrtar, (në atë kohë kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës), ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për persona të tjerë. Mekaj i ka premtuar të pandehurës Vlora Gorani se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste, si dhe ricilësimin juridik të veprave penale, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, në mënyrë që dy të pandehur në ato raste të lirohen nga paraburgimi. I pandehuri Mekaj me këtë qëllim ka kërkuar nga gjyqtarja e njërit rast në fjalë që ta caktoj shqyrtimin gjyqësor në atë lëndë, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Me këto veprime, sipas aktit akuzues, i pandehuri në fjalë ka kryer veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.Ndërkaq, e pandehura Vlora Gorani me dashje ka shtyrë të pandehurin Salih Mekaj të kryej veprën penale, me qëllim që përmes tij ta shpejtoj caktimin e shqyrtimit gjyqësor dhe pastaj edhe ricilësimin juridik të veprave penale për të pandehurin Mentor Seferaj dhe një tjetër të pandehur në një tjetër rast penal, që në këtë mënyrë të arrij lirimin e këtyre dy personave nga paraburgimi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme