Kthehet në rigjykim rasti i Gani Gecit

14:26 | 25 Tetor 2017
L G

Gjykata e Apelit, e ka kthyer në rigjykim rastin e Gani Gecit, i cili akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, që kishe ndodhur më 4 gusht të vitit 2014, në Skenderaj.

Këtë për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, i cili tha se kjo lëndë është kthyer në rigjykim për shkak të shkeljeve të procedurës penale dhe paqartësive në arsyetimin e aktgjykimit.

Kthimin e këtij rasti në rigjykim e ka bërë të ditur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Geci, avokati Ndrecë Dodaj. Ai ka thënë se vendimin e Apelit e ka pranuar të mërkurën.

Kurse, “Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar edhe të akuzuarin Gani Geci, i cili ka thënë se lënda është kthyer në rigjykim për shkak të paqartësive në mes të vrasjes nga një tronditje e fortë mendore, e shkaktuar siç thotë, pa fajin e tij, vrasjes së rëndë dhe mbrojtjes së nevojshme.

Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Sokol Dobruna, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se vendimin e ka pranuar vetëm familja e të ndjerit Ruzhdi Shaqiri, të cilët e kanë njoftuar se lënda është kthyer në rigjykim.

Dobruna ka thënë se tash pret që pas rigjykimit, të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i rëndë, pasi sipas tij, për veprën penale të vrasjes së rëndë, dënimi parashihet mbi 10 vjet burgim.

Ndryshe, Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar ankesat e palëve, më 26 shtator 2017, lidhur me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.

I akuzuari Gani Geci, e ka pranuar se ka kryer këtë vrasje, mirëpo sipas tij, ai këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi ka deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.

Me 3 qershor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Mitrovicë, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Gani Geci akuzohet se Ruzhdin Shaqirin e kishte vrarë në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014./Betimipërdrejtësi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme