Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e kanë aprovuar si të bazuar ankesën e të paditurës Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) dhe palëve të interesuara- Komuna e Prishtinës dhe “Sallahu” sh.p.k, duke e kanë kthyer lëndën për “Rrugën “A” në rishqyrtim dhe rivendosje në dhomën e shkallës së parë.
Vendimi i marrë më 16 nëntor 2023, thotë se çështja kthehet në rivendosje për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave ligjore.
“Shkeljet e tilla përfaqësojnë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore që kanë pasur ndikim në marrjen e aktvendimit të ligjshëm dhe të drejtë, andaj aktvendimi i atakuar, doemos është dashur të prishet”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë.
Gjykata Komerciale më 17 tetor 2023, përmes aktvendimit e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k., për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), më 19 prill 2023, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.
Kundër këtij aktvendimi, në afatin ligjor ka paraqitur ankesë i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit, për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që gjykata të aprovojë ankesën si të bazuar dhe të prishet aktvendimi i lartcekur.
Gjithashtu, ankesë kundër aktvendimit të Gjykatës Komerciale, kishin parashtruar edhe palët e interesuara- Komuna e Prishtinës dhe “Sallahu” Sh.p.k.
Në anën tjetër, paditësi, ka paraqitur përgjigje në ankesat e palëve të lartcekura, me të cilën i ka kundërshtuar në tërësi pretendimet në ankesa dhe i ka propozuar Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale që të refuzohen në tërësi ankesat si të pabazuara dhe të mbetet në fuqi vendimi nr. KA.nr.181/23 i 17 tetorit 2023.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kolegji i Dhomës së Shkallës së Dytë i Gjykatës Komerciale, vlerësoi ligjshmërinë e aktvendimit të ankimuar në kuptim të nenit 12 të Ligjit për Gjykatën Komerciale dhe nenit 194 të LPK-së, të zbatueshëm sipas nenit 63 të Ligjit për Konfliktet Administrative dhe nenit 49 të LKA- së, në drejtim të thënieve në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave tjera të lëndës ka gjetur se ankesa është e bazuar.
Në vendim, thuhet se Kolegji konstatoi që përtej përshkrimit të dispozitave ligjore, Gjykata e shkallës së parë në vendimin e saj nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm përkitazi me kriteret që duhet të plotësohen për të vendosur për pezullimin e vendimit të paditurës.
Sipas vendimit të shkallës së dytë, Kolegji në vështrim të dispozitave ligjore të nenit 22 të LKA-së lidhur me kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, kontestuese në këtë fazë të procedurës vlerësoi se gjykata e shkallës se parë për objekt shqyrtimi dhe vlerësimi ka vetëm kriteret ligjore të përcaktuar në nenin 22 të LKA-se dhe jo edhe vlerësimin e ligjshmërisë se aktit administrativ kontestues.
“Kolegji vlerëson se arsyetimi i aktvendimit të shkallës së parë nuk është formuluar konform nenit 160 të LPK-së, që përcakton strukturën dhe përmbajtjen që duhet ta ketë një vendim gjyqësor për të qenë i drejtë dhe i ligjshëm.
Sipas vendimit të shkallës së dytë, për shkak të paqartësive të shumta që hasen në aktvendimin e shkallës së parë , që lidhen me disa nga rrethanat kyçe faktike e juridike që e karakterizojnë këtë konflikt administrativ, pamundësohet edhe përmbarimi i vendimit gjyqësor në fjalë.
“Kjo ngase dispozitivi i aktvendimit të ankimuar, është i pakuptueshëm, juridikisht i paqartë dhe jo i plotë”, thuhet në vendim.
Nga arsyet e cekura, Dhomat e shkallës së dytë të Komerciales, kanë gjetur se gjykata e shkallës së parë ka bërë shkeljen e dispozitave të sipërcituara dhe në riprocedurë duhet të eliminohen të gjitha shkeljet e lart-theksuara si dhe të vlerësohen të gjitha faktet me rëndësi vendimtare sipas pretendimeve të palëve dhe pastaj të nxjerrë një vendim të ligjshëm dhe të drejtë.
Ndryshe, Gjykata Komerciale më 17 tetor 2023, e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k., për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), më 19 prill 2023, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.
Në vendimin e Komerciales, thuhet se paditësi “Pro & CO Group”, Sh.p.k, pranë kësaj gjykate ka iniciuar konflikt administrativ me kërkesë për anulimin e vendimit të datës 19 prill 2023, të nxjerrë nga i padituri OSHP, si dhe ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, deri në marrjen e ndonjë vendimi tjetër nga gjykata.
Ndryshe, pas këtij vendimi kishte reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka akuzuar se ky vendim është i bazuar në interesa politike e grupe interesi, duke thënë se vendimi është marrë nga motra e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli. Ndaj deklaratës së Ramës, kishte reaguar Gjykata Komerciale, e cilai ka konsideruar shqetësuese deklarimet e Kryetrarit të Prishtinës.
“Gjykata Komerciale e Kosovës, shpreh shqetësimin e saj lidhur me deklarimet e zyrtarëve shtetëror, lidhur me rastin e marrjes së vendimit për caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OshP-së në rastin “Rruga A”, e cila është në procedurë pranë Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale”, thuhej në reagimin e Gjykatës Komerciale.
Sali Berisha i bashkohet protestës së opozitës në Tiranë: Nu...
Shkëlqeu ndaj ish-skuadrës së tij, Hot “MVP” i javës
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...