Kryeziu: Mungesa e progresit në dialog s’është për shkak të të dyja palëve

12:23 | 30 Prill 2024
E.G

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se është një zhvillim i dukshëm që BE-ja pranon se procesi i dialogut nuk ka ecur mirë.

Sipas tij, mungesa e progresit nuk është për shkak të të dyja palëve, shkruan Arbresh.info.

Me anë të një postim në “X”, Kryeziu ka renditur një listë me shkeljet për të cilat thotë se ka bërë Serbia vetëm dy javë pasi i tha po Marrëveshjes Themelore të shkurtit 2023.

Kyreziu tha se prej atëherë 90 ushtarë të KFOR-it janë lënduar në veri të Kosovës nga grupet e dhunshme të udhëhequra nga liderët e Listës Serbe në maj të vitit 2023.

Sipas tij, gazetarët dhe policët e Kosovës ishin në shënjestër gjithashtu

“Paradoksalisht, vetëm një muaj pasi Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Kosovës dhe jo Serbisë”, u shpreh zëdhënësi i Qeverisë.

“Në qershor të vitit 2023, tre policë kosovarë u rrëmbyen nga forcat speciale të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Pavarësisht provave të paraqitura nga institucionet tona të cilat dëshmojnë se Serbia ka shkelur integritetin tonë territorial, asnjë masë nga BE-ja nuk është ndërmarrë kundër Serbisë”, ka shkruar ai.

Ai po ashtu ka përmendur edhe vrasjen e policit, Afrim Bunjaku në sulmin e shtatorit  në Banjskë të Zveçanit.

Sipas tij, Milan Radoiçiq, lider i grupit të sulmit të shtatorit, i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pranoi planin dhe pjesëmarrjen në sulm, është ende i lirë dhe tani takohet me ambasadorin e SHBA-së në Serbi.

“Këtë muaj, më shumë se një mijë qytetarë të Kosovës janë ndaluar arbitrarisht dhe keqtrajtuar nga autoritetet serbe në kufi, pa asnjë arsye. Në mesin e tyre ishin edhe 10 oficerë të Policisë së Kosovës, katër të komunitetit serb, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, një kosovar, i cili është shtetas i Britanisë, është duke u mbajtur dhe akuzuar padrejtësisht, por sërish nuk ka sanksione ndaj Serbisë”, ka shkruar me stë tjerash ai./Arbresh.info/

Të ngjashme