Google ADS

Kryeziu i VV-së: Kurti dhe Haxhiu nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese, shihemi më 14 shkurt

19:27 | 7 Janar 2021
L G

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu pohon se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka të bëjë me kërkesën e tyre si subjekt politik rreth jashtëligjshmërisë së Qeverisë Hoti dhe jo për rreth Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut.

Ai, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se gjykata, në këtë rast, ka mundur të bëjë dy gjëra; ta konfirmoj pretendimin tonë apo ta hedhë poshtë, shkruan arbresh.info.

“Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një rast dhe çështje specifike. Kemi kërkuar mendimin e saj për pretendimin tonë se Qeveria Hoti është e jashtëligjshme duke qenë se ajo ishte formuar me votën e z.Etem Arifi, i cili, sipas nesh, nuk kishte mandat deputeti sepse paraprakisht ishte i dënuar për një vepër penale me burgim për më shumë se një (1) vit. Gjykata, në këtë rast, ka mundur të bëjë dy gjëra; ta konfirmoj pretendimin tonë apo ta hedhë poshtë”, ka shkruar ai.

Megjithatë, sipas Kryeziut gjykata e ka konfirmuar pretendimin e VV-së , duke thënë se deputeti .Etem Arifi nuk kishte mandat të deputetit sepse ishte i dënuar me burgim, prandaj edhe qeveria, me votën të cilit ishte formuar, është e jashtëligjshme.

“Nga ky moment, e ka bërë të qartë se tash e tutje një individ i dënuar me burgim për më shumë se një (1) vjet në tre (3) vjetët e fundit, nuk mund të jetë deputet. Kaq! Pra, përpos shpalljes së Qeverisë si jokushtetuese, ky ka qenë rezultati tjetër nga objekti i shqyrtimit që e ka pasur Gjykata Kushtetuese. Lëvizja VETËVENDOSJE!, Albin Kurti e Albulena Haxhiu nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit. Për më tepër ata nuk janë të dënuar me burgim. Prandaj, në këtë aktgjykim nuk kanë ndalesë për të qenë pjesë listës dhe garës zgjedhore”, ka shkruar ai.

“Shihemi më 14 shkurt, në referendum, për qeverisje të mirë, me Albin Kurtin kryeministër”, ka përfunduar ai./arbresh.info/

Të ngjashme