Kryetarja Osmani takoi përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Kosovë

20:21 | 5 Shkurt 2020
Arditë Shkodra

Sot, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani zhvilloi takime të ndara me shefen e BE-së në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova, si dhe ambasadorët e Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.

Në takimin me znj. Apostolova, znj. Osmani nënvizoi rolin e jashtëzakonshëm të Zyrës së Bashkimit Europian në forcimin e punës së Kuvendit të Kosovës, por edhe të jetës demokratike në vend, transmeton arbresh.info

Dr. Osmani theksoi që Kuvendi është institucion shumë i rëndësishëm në përpjekjen e Kosovës për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe shprehu përkushtimin e thellë që përmes rolit të shtuar të tij ta përshpejtojë këtë proces.

Në takimin me ambasadorin e Gjermanisë, z. Christian Heldt, u ritheksua përkushtimi i të dyja vendeve për ta zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh.

Dr. Osmani theksoi se mbështetja e Qeverisë së Gjermanisë është shumë e rëndësishme për Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Edhe në takimin me ambasadorin britanik, z. Nicholas Abbott, u shpreh dëshira e përbashkët që të forcohet bashkëpunimi mes dy vendeve dhe të zgjerohen lidhjet ndërmjet dy kuvendeve.

Ambasadori Abbott shprehu gatishmërinë e vendit të tij që ta ndihmojë ngritjen e mëtejme të kapaciteteve profesionale të Kuvendit të Kosovës.

Me ambasadorin e Italisë, z. Nicola Orlando, kryekuvendarja Osmani bisedoi për rolin e Italisë si vend mik në Kosovë. Të dyja palët nënvizuan faktin që vendet tona i ndajnë të njëjtat vlera, prandaj bëshkëpunimi mes dy vendeve duhet të zgjerohet edhe më tej.

Gjatë takimit me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve, me theks te veçantë në bashkëpunimin ndërmjet dy kuvendeve./arbresh.info/ ​

 

Të ngjashme