Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi ka thënë se rregullat Kushtetuese duhet të interpretohen në funksion të krijimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit dhe nuk mund të shërbejnë si pretekst për të krijuar pengesa.
Ajo këto komente i bëri sonte me rastin e shënimit të 4 Korrikut-Ditës së shpalljes së Pavarësisë së SHBA-ve.
Duke përkujtuar se sot po festojmë në shtetin më të ri të Evropës, i cili e fitoi lirinë dhe pavarësinë me sakrificën e vet, Hajrizi-Rama theksoi SHBA janë rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të popullit amerikan për ta bërë shoqërinë demokratike më të mirë për të gjithë.
Për më tepër, ajo u shpreh se është në përgjegjësi të gjeneratave të ardhshme të Kosovës për të vazhduar punën drejt shtet-ndërtimit, gjë e cila më së miri bëhet përmes përforcimit të sundimit të ligjit, ku askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë pa përjashtim janë nën kontrollin e tij.
Rama-Hajrizi ka theksuar se Kosova sot është para një testi të demokracisë për krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit dhe se rregullat Kushtetuese nuk mund të shërbejnë si pretekst për të krijuar pengesa në procesin e krijimit të institucioneve.
“Rregullat Kushtetuese duhet të interpretohen në funksion të krijimit të institucioneve. Rregullat Kushtetuese nuk mund të shërbejnë si pretekst për të krijuar pengesa në procesin e krijimit të institucioneve kushtetuese që kanë dalë nga zgjedhjet. Tejkalimi i suksesshëm i këtij testi do të jetë indikator shtesë për qëndrueshmërinë e demokracisë sonë dhe indikator shtesë për përkushtimin e të gjitha institucioneve të Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit. Vetëm përmes këtij të fundit të fundit e ardhmja e Kosovës do të premtojë mirëqenie për qytetarët e saj”, ka thënë Rama-Hajrizi.
Ajo është zotuar se mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve do të jetë misioni i saj kryesor si kryetare e Gjykatës Kushtetuese dhe mision i secilit gjyqtar vendor dhe ndërkombëtar që janë pjesë e kësaj gjykate.
Sot nis Fest 63 – Për 4 net, 30 artistë në garë
Vrasja e dyfishtë në Gjakovë, ngritet aktakuzë ndaj dy të dy...
Zelensky thotë se kurrë nuk ka pasur marrëveshje të arritur ...
Osmani: Sllovenia është një nga aleatët dhe miqtë më të ngus...
Nesër mbahet mbledhja e përbashkët e kuvendeve Kosovë-Shqipë...
Antidroga gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, arre...