Kryetari i Zveçanit flet për Arbresh.info: I gatshëm të jap dorëheqje nëse më kërkon Qeveria

10:39 | 1 Qershor 2023
L G

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, është i gatshëm të jap dorëheqje nga pozita e tij, nëse një gjë e tillë i kërkohet nga Qeveria e Kosovës.
Kështu thotë vetë Peci një bisedë telefonike për “Arbresh.info”.

“Nuk janë këto çështje si mundemi na me i përcaktuar, ato janë vendime të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nëse merret një vendim ashtu, na patjetër që do ta respektojmë”, thotë Peci.

Por, a është i gatshëm të ofrojë dorëheqje vetë, pa ia kërkuar Qeveria e drejtuar nga kryeministri Kurti, Peci nuk ka mendim definitiv.

Ai, na tregon se në koordinim me institucionet e Kosovës dhe për shkak të sigurisë, ka vendosur tash e tri ditë që punën e tij ta kryej jashtë objektit të Komunës.

Tash e tre ditë Peci thotë se punën e kryetarit të Komunës së Zvecait po kryen nga objekti ku është zyra për komunitete që gjendet në fshatin Lipë.

“Jo, jo. Sot, jemi, do të thotë e treta ditë jemi në objektin në fshatin Lipë, në zyrën e komuniteteve këtu kemi vazhduar qe tri të për shkak të situatës, këtu jemi duke punuar”, ka thënë kryetari Peci.

I pari i Zvecanit thotë se vazhdimisht ka qenë në kontakt dhe takime me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe janë dakorduar që për shkak të situatës një herë ta kryej punën e tij jashtë objektit të Komunës së Zvecanit

“Derisa të krijohen kushtet për të vazhduar në objektin e Komunës në Zveçan”, ka thënë Peci.

Kryetari i Zveçanit nuk komentoi deklaratën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili kërkoi që kryetarët e rinj mos të hyjnë në objektet e komunës me dhunë, dhe ta ushtrojnë funksionin vetëm teknik.

Ndryshe, situata e tensionuar në komunat veriore të Kosovës, pas zgjedhjeve të 23 prillit të cilat u mbajtën pas dorëheqjes së 4 kryetarëve që vinin nga Lista Serbe, po vazhdon.

Në shenjë pakënaqësie ata dhanë dorëheqje duke pasuar të dorëhequrit e tjerë nga Prokuroria, Gjyqësori, Policia e Kosovës dhe zyrtarët e tjerë, shkaku i vendimit të Qeverisë së Kosovës, për heqjen e targave ilegale dhe regjistrimin e automjeteve në legale RKS, nga qytetarët e komunitetit serb atje.

Pra, protestat e qytetarëve serbë të prirë nga drejtuesit e Listës Serbe dhe të dirigjuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po vazhdon nga dita e premte me 26 maj, të cilat kanë qenë të dhunshme ku janë lënduar dhe plagosur me armë zjarri mbi 20 ushtarë të KFOR-it dhe protestues serbë.

Protestuesit serbë po kërkojnë largimin kryetarëve, mos shkuarjen e tyre në objektet e komunave dhe mos ushtrimin e postit të tyre nga zyrat, ku dikur qeverisnin kryetarët serbë të ardhur nga Lista Serbe. /Arbresh.info/ Pleurat Salihu/

Të ngjashme