Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për tatimin në pronë, me arsyetimin se ai e shkurton buxhetin e komunave në Kosovë.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, tha për Radion Evropa e Lirë më 25 gusht se lënda e dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Totaj përfshin edhe komunat tjera.
Ligji, i cili hyri në fuqi më 14 gusht të këtij viti, parasheh që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023. Por, vendimi për faljen e tatimit në pronë pasoi rritjen e këtij tatimi në vitin 2023.
Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ndodhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar.
Pas këtij vlerësimi, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100%, e për disa ka mbetur i pandryshuar.
Vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Ibrahimi tha se përmes kësaj lënde është kërkuar masë e përkohshme në mënyrë që të sqarohen problemet që hasin komunat nga shkurtimi në buxhet.
Ai shtoi se janë “rreth 30 milionë euro që komunat e Kosovës humbin” nga falja deri në 100 euro të tatimit në pronë.
Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Kjo normë është 0.15% e vlerës së përgjithshme të pronës.
Të hyrat e mbledhura nga tatimi në pronën e paluajtshme arkëtohen në llogarinë e komunës ku ndodhet prona e paluajtshme dhe shfrytëzohen nga komuna për zhvillimin e infrastrukturës dhe projekte të tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve./REL/
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist