Google ADS

Kryetari i OEK-ut takon Ambasadoren e Maltës, diskutuan për bashkëpunimin bilateral

16:47 | 15 Shtator 2022
L G

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, priti sot në takim Ambasadoren e Maltës për Kosovën, Juliana Scerri Ferrante, me të cilën diskutuan për bashkëpunimin në mes bizneseve të dy vendeve dhe për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të këtij bashkëpunimi.

Duke parë si prioritet përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike ndërshtetërore, kryetari Rafuna vlerësoi mundësinë për të kërkuar ura të reja biznesore ndërmjet Kosovës dhe Maltës.

“Bashkëpunimi me Maltën është miqësor e intensiv që nga ditët e para të shtetit të Kosovës. Kosova duhet të mësojë nga përvoja e bizneseve të Maltës me Bashkimin Evropian”, u shpreh Kryetari Rafuna dhe shtoi se “bizneset e dy vendeve mund të bashkëpunojnë edhe më shumë në shumë sektorë”:

Ambasadorja Juliana Scerri Ferrante u shpreh se mundësitë më të mira të bashkëpunimit ekonomik do të ishin në sektorin e teknologjisë informative, në produktet farmaceutike dhe sistemin shëndetësor në tërësi.

Gjatë këtij takimi, bashkëbiseduesit u dakorduan që të organizohen forume të përbashkëta ekonomike dhe takime B2B që do të ndihmonin kompanitë e të dyja vendeve për hyrje në tregje të reja, rrjetëzim dhe avancim të duhur në sferën sociale dhe ekonomike./arbresh.info/

Të ngjashme