Kryetari i Odës Ekonomike: Viti 2022 do të jetë shumë më sfidues se viti i kaluar

19:48 | 8 Janar 2022
A Z

Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se vendi në vitin 2022 do të përballet me sfida shumë më të mëdha sesa vitin e kaluar.

Rukiqi përmes një postimi në Facebook, ka treguar edhe arsyet se pse do të ndodhë kjo.

Sipas Rukiqit konsumi do të shënojë rënie dhe norma e rritjes ekonomike po ashtu, pasi sipas tij nuk do të përsëritet vera e vitit 2021, që sic e quan ai, ishte infuzioni kryesor për shumë ndërmarrje i ardhur nga diaspora.

“Viti 2022 do të jetë shumë më sfidues sesa viti 2021, në aspektin ekonomik, për disa arsye: 1. Nuk do të përsëritet vera e vitit 2021, që ishte infuzioni kryesor për shumë ndërmarrje (i ardhur nga diaspora), të dërmuara nga pandemia; Konsumi do të shënojë rënie, rrjedhimisht edhe norma e rritjes ekonomike do të jetë në rënie”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

Kryetari i Odës Ekonomike tha se ky dimër do të jetë më i vështirë për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

“Ky dimër do të jetë më i “gjatë” se të tjerët, marrë parasysh problemet me furnizimin dhe çmimet e energjisë elektrike dhe çmimet e rritura në pothuajse të gjitha lëndët e para dhe produktet finale, nga kategoritë e produkteve që ne i importojmë”, ka shkruar ai.

Ai po ashtu shtoi se pandemia do të vazhdojë të sjellë kokëcarje për sektorin privat.

“Sektori privat ende nuk arrin të kuptojë, çka është vlera e vaksinimit me dy dhe tre doza, nëse të njëjtat nuk garantojnë liri të veprimit dhe kryerjes së aktivitetit biznesor. Çdo masë për kontrollimin e pandemisë, duhet të kufizojë të pa vaksinuarit e jo ata që me shumë zell e respektuan thirrjen për vaksinim”, ka vazhduar ai.

Rukiqi tha se në këtë vit do të rritet edhe problemi me fuqinë punëtore.

“Mos gjetja e punëtorëve me shkathtësi të caktuara është si problem në rritje për të gjithë sektorët. Nëse kjo problematikë vazhdon, ne do të kemi probleme serioze me aftësinë konkurruese për eksport dhe investime”, ka shtuar Rukiqi.

Ai tha se qeveria, parlamenti dhe të gjitha institucionet duhet të jenë të hapura për dialog me sektorin privat, në adresimin e këtyre temave por edhe shumë çështjeve tjera me rendësi jetike për zhvillimin e vendit.

Të ngjashme