Kryetari i Kuvendit fton për vizitë të mbijetuarin e Holokaustit që u lind në Kosovë

16:22 | 13 Prill 2018
Arbresh.info

Kreu i Kuvendit Kadri Veseli ka biseduar me njërin nga të mbijetuarit e Holokaustit që ka lindur në qytetin e Prizrenit.

Bëhet fjalë për Raul Teitelbaum i cili është përzgjedhur për hapjen e ceremonisë së sivjetme përkujtimore Yad Vashem, transmeton portali arbresh.info.

Veseli ka ftuar zotëri Teitelbaum për vizitën në Kosovë, ftesë të cilën e ka pranuar me shumë kënaqësi ky i fundit.

Shkrimi i plotë i kryekuvendarit Veseli:

Në mesin e gjashtë të mbijetuarve të Holokausit, që këtë vit janë përzgjedhur për hapjen e ceremonisë përkujtimore, Yad Vashem, të gjashtë milionë viktimave të tij, këtë vit ishte edhe Raul Teitelbaum, hebre i lindur në Prizren.

Sot bisedova me të në telefon. I emocionuar, më falënderoi dhe shprehu respektin dhe dashurinë për vendin tonë. Z. Teitel e ftova për vizitë në Kosovë dhe me kënaqësi e pranoi ftesën.

Ne jemi pasardhës të burrave dhe grave, që në ditët më të rënda për hebrenjtë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, hapën dyert dhe zemrat për t’i strehuar e mbrojtur hebrenjtë e ikur nga persekutimi nazist.

Njësoj si ata, edhe ne sot, bashkëndjejmë me vuajtjet e viktimave të Holokaustit.

Ne jemi krenarë me heroizmin e treguar ne ato kohë, si dhe me miqësinë e dy popujve tanë që ata na lanë trashëgimi./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme