Kryetari i Apelit e konfirmon: Rasti i Ramadan Mujës në rigjykim

11:16 | 5 Korrik 2017
Arbresh.info

Kryetari i Gjykatës së Apelit e ka konfirmuar sot në një konferencë për media se rasti i kryetarit të komunë së Prizrenit, Ramadan Muja dhe 5 ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj komune është kthyer në rigjykim.

“Me sa kam informata rasti i Ramadan Mujës është kthyer në rigjykim”, ka qenë përgjigja e shkurtër e Shalës gjatë konferencës.

Arbresh.info ka raportuar dje se Gjykata e Apelit tashmë ka vendosur për rastin e Mujës dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe vendimi do t’u dorëzohet palëve këto ditë.

Gjykata Themelore në Prizren pati dënuar Ramadan Mujën me 2 vite burgim me kusht që i njëjti të mos kryej asnjë vepër penale për një periudhë 3 vjeçare, dhe me një dënim alternativ të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për 30 muaj.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, pas gati një viti e gjysmë kishte vendosur që lënda të kthehej në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë në Prizren, për shkak se kishte konkluduar se ishin bërë shkelje esenciale në përmbajtjen e aktgjykimit të shkallës së parë.

Aktvendimi i Gjykatës së Apelit kishte arritur në Gjykatën Themelore të Prizrenit në shtator të vitit 2015.

Në këtë aktvendim ishte anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit P.nr.171/13 i lëshuar më 13 mars 2014 dhe lënda ishte kthyer në Gjykatën Themelore për rigjykim.

Mirëpo, në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Supreme e pati rrëzuar vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit ndaj Mujës dhe të tjerëve, duke marrë vendim që ky rast të kthehet sërish në Gjykatën e Apelit për rivendosje të aktgjykimit të shkallës së parë.

Vendimi i Supremes kishte ardhur pas pranimit të ankesës së prokurorisë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit në shtatorin e po të njëjtit vit, që rasti ndaj kreut të Prizrenit, Ramadan Muja të kthehet në Gjykatën Themelore të Prizrenit për rivendosje.

Supremja, kishte vendosur që aktvendimi i apeluar të anulohet dhe lënda t’ i kthehet Gjykatës së Apelit për rishqyrtim nga një trup i ri gjykues./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme