Google ADS

Kryetari i AKB-së jep detaje rreth vizitës së Abazoviqit në Kosovë

10:59 | 13 Prill 2023
E.H

Kryetari i Aleancës Kosovare e Bizneseve, Agim Shahini, ka mbajtur konferencë për media ku janë shpalosur detaje nga vizita e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq në Kosovë.

Shahini ka thënë se vizita e Abazoviqit në Kosovë është e karakterit ekonomik, politik dhe arsimor dhe shtoi se në këtë vizitë do të përfshihen 20 aktivitete, shkruan Arbresh.info.

“Kjo vizitë ka karakter ekonomik politik, arsimor e shumë të tjera. Do të përfshihen në këtë vizitë 20 aktivitete. AKB e falënderon ambasadën e Malit të Zi që ka pranuar ofertën që Abazoviq të jetë në Kosovë. Ne e kemi vlerësuar se ai është një reformator në skenën politike në Mal të Zi, modeli i tij vlen të merret”, tha Shahini.
I pari i AKB-së theksoi se numri një i qeverisë malazeze do të nënshkruaj një marrëveshje me AKB-në, do promovohet libri i tij dhe do vizitohen bizneset në Prishtinë e Pejë.

“Ai do ta nënshkruaj një marrëveshje me AKB-në dhe do të marrë një titull nga ne dhe nga “Universumi”, do të promovohet edhe një libër i tij, do të kemi vizita biznesore në Prishtinë dhe në Pejë. Këto aktivitete do të jenë të fokusuara te bizneset që kanë bashkëpunim më të ngushtë me Malin e Zi. Kjo është vizitë historike”, tha ai.

Ndërsa konsulli i nderit i Malit të Zi në Kosovë, Gazmend Abrashi, ka deklaruar se vizita është gjithëpërfshirëse, por me fokus të veçantë në ekonomi.

Bashkë me të do vijnë edhe kryetari i Ulqinit dhe i Tuzit, bashkë me tre ministra të qeverisë së tij.

“Dëshiroj të theksoj që kryeministri Abazoviq do të vij me ftesë të AKB-së i cili ka qenë organizator i këtij evenimenti. Agjenda është gjithëpërfshirëse, fokusi është në ekonomi. Vizitën e tij do ta përcjellin tre ministra dhe kryetari i Ulqinit dhe ai i Tuzit. Do të ketë takim me kryeministrin e Kosovës dhe besoj edhe me presidenten”, theksoi ai.

Abazoviq do vizitojë nesër Kosovën, ku përveç AKB-së, do të takohet edhe me kryeministrin e vendit Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme