Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, kanë pritur në një takim anëtarët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Kryetari Konjufca me këtë rast tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë jo vetëm i domosdoshëm, por ka sjellë edhe rezultate historike për kombin, shkruan arbresh.info.
“Ne të gjitha sfidat i kemi kaluar së bashku gjatë historisë dhe fakti që gjendemi këtu, i kemi dy shtetet tona, është edhe për arsye se kemi vepruar gjithnjë në të njëjtin drejtim sipas një strategjie të përbashkët”, tha kryetari i Kuvendit, duke nënvizuar se Kosova dhe Shqipëria de jure janë dy shtete, por de fakto duhet të veprojmë bashkërisht.
“Mendoj se vetëm përmes kësaj dotkrine do të mund t’i përballojmë edhe sfidat nëpër të cilat po kalojmë aktualisht, por edhe ato të cilat do të na dalin përpara në një të ardhme të afërt”, theksoi kryetari Konjufca, për të shtuar se të gjitha sukseset e Kosovës, që nga lufta çlirimtare e vitit 1998-1999, shpallja e pavarësisë me 17 shkurt 2008 e edhe fitorja në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, nuk mund të imagjinohen pa ndihmën e Republikës së Shqipërisë”, tha Konjufca.
Kryetari Konjufca, para anëtarëve të Komisionit për Siguri Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqiti disa sfida të cilat kërkojnë bashkëveprim dhe bashkërendim të hapave.
Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, krizat globale, siç është rasti me pandeminë e virusit Covid 19, siguria kibernetike dhe migrimi i të rinjve të të dyja vendeve, janë sfidat në të cilat duhet të punohet së bashku, në mënyrë që Kosovës dhe Shqipërisë të mos u rrezikohet siguria kombëtare.
Në anën tjetër edhe kryetari i Komisionit për Siguri Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, Nasip Naço shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit të ndërsjellë.
“Ne jemi të gatshëm gjithnjë për një bashkëpunim të ndërsjellë, për të shkëmbyer mendime dhe informacione mes dy parlamenteve. Sigurisht që sfidat tona janë edhe më të mëdha dhe duke u takuar dhe shkëmbyer informacione besoj se do veprojmë njëlloj për t’i përballuar ato”, tha ndër të tjera Naço.
Në takim kanë folur edhe anëtarët tjerë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe të Komisionit për Siguri Kombëtare të Shqipërisë, të cilët u pajtuan që të thellohet bashkëpunimi në mes këtyre dy komisioneve. /arbresh.info/
Hamza i PDK-së: Pensionet e moshës do të rriten 70%
Hiqet ndalesa për kamionë në rrugën Tetovë-Kodra e Diellit
Arrestohet gjenerali i Assad, përgjegjës për dhënien e mijër...
Lukashenka fal 20 të burgosur
Gërvalla: Liberalizimi i vizave si rezultat i luftës ndaj ko...
“Sonte nuk jom ‘kingu’, jom baba”, Gjesti flirtues ndaj Xhen...