Me ftesë të Kryetarit të Parlamentit të Greqisë (Helen), Konstantin Tassoulas, kryesues i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e SEECP-së), kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili njëherësh është edhe Kryesues i Delegacionit të Kuvendit në këtë Asamble, Glauk Konjufca, mori pjesë sot në Sesionin e nëntë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e SEECP/PBEJL-së), mbajtur ne Parlamentin e Greqisë, në Athinë.
Kryetari i Parlamentit grek, njëherësh edhe Kryetar i Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, Konstantin Tassoulas, e hapi seancën, ndërsa në pjesën hyrëse të pranishmëve iu drejtuan Sekretari i Përgjithshëm për Çështjet Ekonomike Ndërkombëtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme Greke, Ioannis Smirlis, dhe Analisti i Lartë i Politikave Ekonomike në RCC dhe koordinator i Strategjisë për Evropën Juglindore 2030, Arslan Umut Ergezer.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të diskutimit në seancës plenare, u adresua edhe me një fjalim me temë diskutimi mbi: “Objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm për mjedisin. Ndikimi i krizës në Evropën Juglindore: a) siguria e furnizimit me energji dhe b) zinxhiri agroushqimor”.
Duke theksuar rëndësinë vendimtare të kësaj teme për të gjithë rajonin, kryetari Konjufca u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve të SEECP-së që të tregojnë solidaritet dhe bashkëpunim në mënyrë që të punojnë së bashku për të kapërcyer sfidat e ardhshme.
Në veçanti, kryetari Konjufca theksoi domosdoshmërinë e avancimit të bashkëpunimit në mes vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së në nivel bilateral dhe multilateral, në kontekst të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe integrimit të plotë të rajonit në Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimeve aktuale ndërkombëtare politike dhe të sigurisë.
Kryetari Konjufca gjithashtu theksoi rëndësinë e përmbylljes së këtij procesi si parakusht për një stabilitet afatgjatë politik e ekonomik të rajonit dhe më gjerë.
Duke e dënuar invazionin e Rusisë mbi Ukrainën, kryetari Konjufca theksoi se “duhet t’u qëndrojmë besnikë vlerave evropiane dhe vetëm me një partneritet të palëkundur me NATO-n dhe SHBA-në, mund ta mbrojmë rajonin tonë nga kërcënimet serioze destabilizuese që mund të çojnë në ndryshime thelbësore në rajon dhe në rendin ndërkombëtar”.
Tutje ai tha se “problemet rajonale mund të përmirësohen duke avancuar në procesin e anëtarësimit në BE dhe bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve tona. Mbështetja e të gjitha vendeve, paraprirë nga njohja e Kosovës, duhet parë si një investim strategjik për të ardhmen, si një hap i domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit por edhe për zhvillimin tonë të përbashkët.”
Kryetari Konjufca përmbylli fjalimin e tij duke i ftuar përfaqësuesit e shteteve anëtare të SEECP-së dhe qeveritë e tyre që të përkrahin Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, statusin e kandidatit në BE, anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.
Sesioni Plenar u parapri nga takimet e komisioneve të përgjithshme dhe Komisionit të përhershëm qendror, të cilat u mbajtën dje në Parlamentin e Greqisë.
Gjatë takimeve të punës, delegacioni i Kuvendit të Kosovës u përfaqësua nga deputetët Fitore Pacolli Dalipi, Mefail Bajçinovci (anëtarë) dhe deputetët Jeta Statovci e Ardian Gola (zëvendësanëtarë).
Dje në takimet e Komisioneve punuese, u vendos që Kosova të udhëheq me dy komisione të Asamblesë, të cilat do të mbahen në Prishtinë vitin e ardhshëm – Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkime Shkencore dhe Shkencë, si dhe Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim për Sigurinë.
Sesioni i nëntë i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore përfundoi me miratimin e Deklaratës Përfundimtare, e cila angazhoi pjesëmarrësit që të punojnë së bashku për të forcuar mekanizmat dhe institucionet rajonale për t’iu përgjigjur krizës mjedisore në rritje brenda ekonomive të qëndrueshme. Gjithashtu, pjesëmarrësit e SEECP-së dënuan pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe shprehën solidaritetin me popullin dhe qeverinë e Ukrainës./arbresh.info/
Ndahen pagat për shërbyesit publikë, si dhe shtesat për fëmi...
KQZ-ja hap thirrjen për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhj...
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë
“Po edhe shumë”, Driloni më në fund pranon pëlqimin për Sarë...
Real Madridi ende synon transferimin e Haaland – gjithçka va...
Pacienti vdiq, tre mjekë në Fier hetohen për trajtim jo të d...