Kryetari Glauk Konjufca priti në takim diplomatin Dervishi dhe ambasadorin Minxhozi

15:27 | 21 Prill 2022
Fjolla Bajraktari

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim diplomatin e njohur shqiptar Dashnor Dervishi, i cili shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, thuhet në një komunikatë për media.

Me këtë rast, kryetari Konjufca e përgëzoi ambasadorin Dervishi për librin e tij publicistik në dy vëllime “50 vjet marrëdhënie me jashtë”, i cili u promovua mbrëmë në Prishtinë, shkruan arbresh.info.

Diplomati Dervishi e falënderoi kryetarin e Kuvendit për pritjen e përzemërt dhe i dhuroi një ekzemplar të librit, në të cilin përshkruhet historia e diplomacisë shqiptare dhe puna e tij si diplomat shumëvjeçar.

Në takim u shkëmbyen mendime rreth çështjeve me interes të përbashkët për shtetet tona, me fokus të veçantë domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të hapave përballë zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme