Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli dhe këshilltarët, priti në takim kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila po qëndron në Kosovë në vizitën e saj të parë jashtë Shqipërisë në cilësinë e kryeparlamentares.
Në takimin e përzemërt u diskutua për raportet e ngushta që ekzistojnë midis Kosovës dhe Shqipërisë, duke i konsideruar ato model për shtetet e tjera në rajon dhe më gjerë. Bashkëbiseduesit shtruan nevojën e një bashkëpunimi më të thellë në të gjithë lëmenjtë, veçanërisht në rrafshin parlamentar, duke shkëmbyer informacione dhe ndarë përvoja në funksion të avancimit të punës në të dy parlamentet.
Duke uruar znj. Spiropali për detyrën e re dhe me përgjegjësi të lartë shtetërore, kryetari Konjufca theksoi se të dy shtetet kanë lidhje të natyrshme vëllazërore, sepse, siç tha ai, janë themeluar mbi sakrificat dhe përpjekjet e të njëjtit komb.
“Kjo na obligon të qëndrojmë gjithnjë afër, duke mbajtur po natyrshëm të palëkundur parimin e mospërjashtimit mes interesit të shteteve tona dhe atij kombëtar”, tha kryetari Glauk Konjufca.
Kryetari Konjufca theksoi se vizita e kryeparlamentares Spiropali në Kosovë i shërben vizionit të përbashkët të raporteve përplotësuese që na shtyjnë të ecim përpara së bashku.
“Republika e Kosovës ka dalë nga Shqipëria, nga ajo Shqipëri që nuk u bë e plotë, që na u mohua neve, për të cilën luftuam shumë. Ne i diskutuam të gjithë mundësitë se si mund t’i mbështesim vendet tona drejt integrimit. Kosova ka nevojë për ndihmën e Shqipërisë, në të gjitha format, posaçërisht për luftën që bënë Serbia kundër shtetit të Kosovës”, tha kryetari Konjufca, duke shtuar se marrëdhënien me Shqipërinë Kosova e sheh përtej raporteve ndërshtetërore.
Kryeparlamentari shtoi se Shqipëria ka merita të mëdha në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe ndihma e saj ende i nevojitet Kosovës, sidomos në arenën ndërkombëtare.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali tha se ndihet tejet e lumtur që vizitën e saj të parë si kryetare e Kuvendit, po e zhvillon në, siç e cilësoi ajo Kosovën, shtëpinë e saj të dytë.
Kryetarja Spiropali tha se marrëdhënia mes Kosovës dhe Shqipërisë për një çerek shekulli është e papërsëritshme dhe rruga e dhimbshme që është përshkuar ka sjell lirinë e sotme. Ajo tha se Kosova për Shqipërinë është prioritet kombëtar.
“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Për Shqipërinë dhe Kosovën bashkëpunimi është një prioritet i pandashëm, është një binom stabilizues dhe orientues për të nesërmen tonë por edhe për të gjithë rajonin”, tha Spiropali.
Sipas saj me kryetarin Konjufca ndanë bindjen që t’u sugjerojnë të dy Qeverive një konkretizim më të detajuar të partneritetit strategjik e gjithëpërfshirës duke bërë atë një model inkurajues për bashkëpunimin rajonal, ndërshqiptar dhe më gjerë.
“Dy parlamentet tona kanë potencialin patriotik dhe politik detyrimin kushtetues, historik dhe moral që të bëhen edhe më shumë promotorë të integrimit dhe mirëkuptimit rajonal”, tha Spiropali.
Kryetari Konjufca dhe kryetarja Spiropali diskutuan edhe për mundësinë e mbajtjes së mbledhjes së dytë të përbashkët të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...