Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, me bashkëpunëtorë, ka bërë homazhe pranë varrit të atdhetarit të shquar Latif Berishës në Smrekonicë, në 19 vjetorin e vrasjes së tij nga policia serbe, transmeton arbresh.info.
Më këtë rast Bahtiri ka vlerësuar lartë figurën e Latif Berishës.
“Figura e profesor Latif Berishës është një figurë shumë e nderuar dhe e respektuar nga të gjithë. Ai në kohën e okupimit klasik të Kosovës nga Serbia, u shqua për angazhim dhe përkushtim të palodhshëm për çështjen kombëtare, për organizimin e jetës së përditshme dhe institucionale të qytetarëve të Mitrovicës, jashtë institucioneve të okupatorit. Në veçanti ishte angazhuar për organizimin e ndihmave për pjesëtarët e UÇK-së. Ai ishte institucion në vete dhe pa mendimin e tij, asgjë asokohe nuk bëhej në Mitrovicë, as nga qytetarët e as nga partitë politike. Prof Berisha, organizoi për mrekulli vendosjen në Mitrovicë të shqiptarëve që i dëbonte ushtria dhe policia serbe nga trojet e tyre në Drenicë, organizoi mënyrën e sigurimit të ushqimit dhe veshmbathjes për ta”, tha kryetari Bahtiri.
Përveç kësaj, kryetari Bahtiri tha se Latif Berisha është intelektuali i parë shqiptarë që u vra nga policia serbe menjëherë pas bombardimit të caqeve serbe nga NATO-ja.
“Profesor Latif Berisha, ishte një njeri i veçantë, i urtë, i mençur, atdhetar i devotshëm, intelektual i mirëfilltë, poet i shkëlqyeshëm, pedagog i përkushtuar, i cili ka punuar shumë për Mitrovicën e Kosovën. Vepra e tij nuk duhet harruar kurrë”, ka thënë ndër të tjera kryetari Bahtiri.
Më 24 mars 1999, në natën e parë të bombardimeve të forcave të NATO-s mbi caqet serbe në Mitrovicë, kriminelët serbë e vranë profesor Latif Berishën, në pragun e shtëpisë së tij, në pjesën veriore të qytetit, prej nga qëllimisht nuk ishte larguar, edhe pse të gjithë i kishin sugjeruar që të largohej nga atje, për shkak se për veprimtarinë e tij patriotike ishte bërë halë në sy të policisë serbe.
Kontributi i Latif Berishës për çështjen kombëtare, në fushën e arsimit, shkencës, kulturës etj, ka qenë shumë i madh. Vepra e tij poetike e shkencore zë vend të rëndësishëm në letërsinë dhe shkencën shqiptare./arbresh.info/
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...