Google ADS

Kryesuesi i KGJK-së pret në takim Alice Albright, flasin për projektin “Qasja Publike në të dhënat e gjyqësorit’’

10:19 | 19 Tetor 2022
L G

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, i shoqëruar nga Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, anëtarë të KGJK-së, staf nga Sekretariati i KGJK-së, kanë pritur sot në takim Shefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Qëllimi i kësaj vizite ishte lansimi i dy platformave që janë zhvilluar përmes projektit “Qasja Publike në të dhënat e gjyqësorit”, me ç’rast është nënshkruar edhe një Marrëveshje Mirëkuptimi me të cilën KGJK-ja merr përsipër mirëmbajtjen, avancimin dhe qëndrueshmërinë e projektit për të ardhmen, raporton arbresh.info.

Sipas njoftimit të KGJK-së, kryesuesi Zogaj e falënderoi, Albright dhe MCC-në, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar në kuadër të projektit për ‘’Qasja Publike në të dhënat e gjyqësorit’’ të financuar nga agjencia federale amerikane, Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe realizuar përmes Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK).

“KGJK-ja synon zbatimin e reformave në gjykata duke sjellë në qendër përdoruesin e gjykatave dhe shërbimet për qytetarë. Qasja publike në të dhëna të gjyqësorit (PAJI), kontribuon në përmirësimin e administrimit të drejtësisë në Kosovë. PAJI, ndihmon në rritjen e transparencës së institucioneve të sundimit të ligjit duke iu ofruar qytetarëve të Kosovës qasje online në informacione relevante gjyqësore”, tha kryesuesi Zogaj.

Shefja Ekzekutive e MCC-së, Alice Albright, u shpreh falënderuese për implementimin e këtij projekti dhe shprehu gatishmërinë e plotë për bashkëpunim.

“Për të promovuar transparencën, llogaridhënien, vendimmarrjen e bazuar në të dhëna, partneriteti MCC në Kosovë ka hapur një numër të madh të të dhënave publike, duke iu mundësuar komunikim dhe shërbime më moderne qytetarëve të Kosovës, shoqërisë civile, sektorit privat dhe mediave.Prandaj, PAJI është krijuar për të adresuar rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, por edhe për të adresuar perceptimet për sundimin e ligjit në Kosovë, duke vënë në dispozicion më shumë të dhëna për publikun njëkohësisht duke inkurajuar shoqërinë civile që t’i përdorë dhe analizojë ato të dhëna”, është shprehur Albright.

Ndryshe, platformat që u lansuan sot përbëjnë rëndësi të veçantë për qytetarët e vendit dhe ato janë: Platforma e të Dhënave Online (ODP), e cila ofron të dhëna statistikore për performancën e sistemit gjyqësor të Kosovës. Statistikat e ODP-së janë marrë nga Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL);Mekanizmi për përcjelljen e lëndëve (CTM), i cili ofron informacione rreth lëndës individuale, statusin e lëndës dhe përditësimet e lëndës, si dhe veprime procedurale lidhur me atë lëndë. Ky mekanizëm është i qasshëm me hyrje të autorizuar dhe funksional për personat që janë të përfshirë në lëndë gjyqësore.

Me lansimin e këtyre dy platformave, do të filloj një epokë e re për sistemin e drejtësisë në vendin tonë, duke u hapur edhe një dritare për transparencë e llogaridhënie me të cilën do të ofrohen të dhëna statistikore për punën e gjykatave dhe të dhëna për lëndë, me ç’rast synohet rritja e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.

Për kontributin e dhënë nga MCC-i, e implementuar nga MFK-ja, përmes projektit ‘Qasja publike në të dhënat e gjyqësori’, KGJK ka ndarë një mirënjohje për Shefen Ekzekutive të MCC-së,  Alice Albright./arbresh.info/

Të ngjashme