Google ADS

Kryesidikalisti i Shëndetësisë: Kirurgët po shkelin ligjin me greva, po pësojnë pacientët

17:06 | 27 Janar 2019
Arbresh.info

Kryesindikalisti i Shëndetësisë, Blerim Syla, po i akuzon kirurgët e QKUK’së se po e shkelin Ligjin duke mbajtur grevë të paligjshme. I ka denoncuar se shkaku i grevës së tyre po pësojnë pacientët.

“Bazuar me të gjitha ligjet, edhe atë të grevës dhe të organizimit sindikal, kjo më nuk quhet grevë por bojkotim i punës. Janë pacientë ata që po vuajnë. Unë nuk e di se si është për mburrje dikush që del e thotë nuk janë bërë kaq operacione. Kjo nuk është për mburrje, kjo është me vajtu”, ka thënë Syla për Express.

“Ky popull po duron shumë. Unë po iu bëj apel mjekëve të vijnë dhe të punojnë deri më datë 31. Nëse në atë datë nuk kalon ligji i pagave, atëherë janë çështje të tjera që federata do t’i marrë mbi vete”, ka sqaruar tutje kreu i Federata Sindikale e Shëndetësisë.

Kirurgë kanë nisur grevën më 17 dhjetor dhe pavarësisht thirrjeve për ndërprerje të grevës, ata ende po vazhdojnë.

E greva në shëndetësi fillimisht ishte organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë më 26 dhjetor të vitit të kaluar dhe kishte zgjatur vetëm 72 orë.

“Prej ditës së parë kur e kemi fillu ne e kemi respektuar Ligjin për Greva, mirëpo ata e kanë vazhduar grevën. Ju siç e dini me 29 janar ne e kemi pezulluar grevën dhe kemi thanë që nuk marrim përgjegjësi për individ që mbajnë greva. Por, ne, po e themi se kjo nuk është grevë, është faktikisht bojkotim i punës. Përkundër të gjithave, ata (kirurgët), janë deklaruar publikisht se nuk e njohin sindikatën dhe si e tillë ne nuk mundemi me kontaktu me dikë, kur dikush nuk do”, ka thënë për Express Syla.

Syla ua ka shuar shpresat kirurgëve duke thënë se koeficienti i pagave që ata po e kërkojnë nuk përkon aspak me realitetin kosovarë, andaj kërkesa e tyre vështirë se do të realizohet.

“Ne e dimë që puna e kirurgëve nuk paguhet kurrë në botë, por ata duhet veprojnë në bazë të realitetit kosovar. Ne nuk duhet të flasim me kërkesa megalomane që e qojnë poshtë këtë vend. Pacientët janë duke vuajtur nga kjo grevë. Që pesë javë ditë ka operacione elektive që janë shty”, ka deklaruar Syla.

E në anën tjetër, gjatë javës që po e lemë pas grevës së kirurgëve i janë bashkangjitur edhe ortopedët-kirurgë, si dhe kirurgët e spitalit regjional të Ferizajt.

Arbër Morina, kirurg njëherësh përfaqësues i Kolegjiumit të Kirurgëve ka deklaruar se dita ditës po u bashkohen kirurgë nga e gjithë Kosova.

Ndërkaq nga Drejtoria e Qendrës Klinike Universitare kanë deklaruar se puna në këtë institucion është duke shkuar mirë, duke e minimizuar kështu problemin e grevës e cila po zgjatë tash e një muaj.

Në përgjigjen e kësaj drejtorie thuhet se “zyra e drejtorit të përgjithshëm të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ju njofton se zyrtarisht greva e organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë ka përfunduar”.

“Ka disa kirurgë që po organizojnë grevë jashtë organizimit sindikal. Puna dhe operacionet janë kryer normalisht, përfshirë edhe rastet jo emergjente në Klinikën e Gjinekologjisë, Kirurgji Vaskulare, Oftalmologjisë, ORL, Kirurgji Maksilofaciale dhe Neurokirurgji. Ortopedia, po ashtu operacione ka pasur në disa salla tjera operative”, theksohet në këtë përgjigje me shkrim.

Në anën tjetër edhe Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, ka deklaruar për Express, thotë se kërkesat e kirurgëve janë duke u shqyrtuar por koeficienti që ata po e kërkojnë është vështirë i realizueshëm.

“Kërkesat e profesionistëve shëndetësor i kemi shqyrtuar, dhe në fazën kur ka qenë amendamenti i projektligjit për pagat ne e kemi dorëzuar si komision dhe kërkesat tanimë janë duke u shqyrtuar nga anëtarët e komisionit të projektligjit për paga dhe ne besojmë që anëtarët e komisionit do ti kenë parasysh dhe koeficienti i tyre do të ngritët”, tregon ajo.

Tutje, Baftiu thotë se në projektligjin për paga nuk janë profilet e përcaktuar se cilës kategori të mjekëve do t’u ritet paga

“Ne kemi kërkuar që për të gjitha profilet, koeficienti të jetë i njëjtë. Ne si komision kemi kërkuar që koeficienti nga 5 të ngitet në 6”, ka deklaruar Baftiu.

Ndërsa kërkesat për rritje pagash po vazhdojnë, Ligji për pagat pritet të përcaktojë koeficientin e pagës edhe për mjekët, infermierët dhe kategoritë tjera në shëndetësi. Aktualisht, për punën që kryejnë, mjekët specialistë paguhen me rreth 600 euro në muaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme