Kryesia mblidhet në ora 8:00, vendos për seancën ku do të debatohet për korrigjimin e kufijve

07:11 | 3 Shtator 2018
Arbresh.info

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se sot do te mblidhet kryesia e Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare lidhur me kërkesen Grupit Parlamentar te Lidhjes Demokratike të Kosovëstë për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme.

Seanca e jashtëzakonshme është kërkuar për te debatuar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës përmes kërkesës për seancë të jashtëzakonshme ka thënë se kjo seancë është kërkuar për të shprehur qëndrimin institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës.

LDK konisderon se nuk ka mekanizëm politik më të fuqishëm për të shprehur vullnetin e qytetarëve të Kosovës, përmes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si të zgjedhur të qytetarëve.

LDK ka deklaruar se nuk do të lejojë që Thaçi dhe Vuçiq të bëjnë pazar me territorin e Kosovës.

Presidenti Thaçi sipas LDK-se nuk ka mandat kushtetues për veprimet të tilla. Negociatat për territorin e Kosovës janë kundër kushtetuese dhe kushdo që hynë në lojëra të tilla do të bartë pasojat kushtetuese dhe politike.

LDK thekson se askush nuk duhet të ketë guxim të ndërmarrë hapa që bien në kundërshtim me vullnetin e shumicës dërmuese të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Gjithashu edhe Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta kundër korrigjimit të kufirit.

Ai u ka bërë thirrje anëtarëve të partisë së tij që të mobilizohen për protesta paqësore për ta ndalur, siç ka thënë ai, ndarjen e Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se do të vendoset në krye të protestave për ta ndaluar presidentin Hashim Thaçi që ta shes Kosovën.

Ai ka kërkuar nga anëtarësia e Vetëvendosjes që të mobilizohen në ditët dhe javët e ardhshme për ta ndalur krimin që po i bëhet Kosovës.

Edhe Instituti Demokratik i Kosovës ka shpreh mbështetje për nismën e ndërmarrë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi dhe fton të gjitha partitë politike parlamentare të mobilizohen për të mbledhë nënshkrimet e nevojshme për të ftuar sa më shpejt këtë seancë.

KDI ka bërë thirrje të vazhdueshme drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të ftuar seancë të jashtëzakonshme, me 28 maj dhe 17 korrik të këtij viti, duke kërkuar që Kuvendi i Republikës së Kosovës të jetë epiqendra e diskutimeve rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe Presidenti t’i raportojë Kuvendit.

Përmes një letre drejtuar Presidentit Thaçi edhe organizatat e shoqërisë civile kanë kundërshtuar fuqishëm idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë dhe e kanë cilësuar si të rrezikshme që nxit konflikte, konfuzion dhe urrejtje në mes të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që komuniteti serb që jeton në Kosovë po dekurajohet edhe më tej për t’u integruar në shoqërinë dhe institucionet e vendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme