Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi nga 14 deri më 16 shkurt po qëndron për një vizitë pune në Republikën Federale të Gjermanisë. Kjo vizitë u mundësua nga Projekti i Binjakëzimit ”Mbështetje e mëtejme reformës së arsimimit ligjor”(projekt i financuar nga Zyra e BE-së) i cili në mbështetje të Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Në kuadër të kësaj vizite janë zhvilluar takime në Akademinë Federale të trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në Akademinë e Drejtësisë për Rajonin e Berlinit dhe Brandenburgut si dhe në Ministrinë e Drejtësisë të këtyre rajoneve, thuhet në njoftimin për media.
Ndër temat kryesore të diskutimit në këto takime janë; provimet pranuese për kandidatët prokurorë dhe gjyqtarë, trajnimi fillestar i kandidatëve për prokurorë dhe gjyqtarë, trajnimi i vazhdueshëm i prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit administrativ të gjykatave dhe prokurorive, përfshirë por pa u kufizuar në vlerësimin e nevojave për trajnime, përzgjedhjen e trajnuesve dhe metodologjinë trajnuese.
“Qëllimi kryesor i kësaj vizite është njohja më për së afërmi e mënyrës së funksionimit të akademive regjionale dhe akademisë federative për trajnime të prokurorëve dhe gjyqtarëve me qëllim të mbështetjes së procesit të transformimit të Institutit Gjyqësor të Kosovës në Akademi të Drejtësisë, proces ky i cili po përgatitet të realizohet sapo të hyjë në fuqi ligji i miratuar javë më parë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, shkruan në njoftim.
Pjesë e rëndësishme e kësaj vizite janë edhe takimet në Zyrën e Kryeprokurorit dhe në Gjykatën e Apelit në Berlin ku u diskutua për rekrutimin e resurseve humane, në veçanti për rekrutimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj.
“Delegacioni i sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës mori premtime nga të gjitha autoritetet përgjegjëse gjermane për ngritje të bashkëpunimit në mbështetje të nevojave për zhvillim profesional dhe avancim të sistemit prokurorial e gjyqësor të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Pjesëmarrës në këtë vizitë janë edhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Kryetari i Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial dhe U.D Drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës./Arbresh.info
Osmani dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë, Anne Marie Lizin
Partia Social Demokrate tërhiqet nga negociatat e qeverisë n...
Kurti: Mbrojtja e burimeve ujore dhe rritja e kapaciteteve t...
FIFA pajtohet me vendimin e Arabisë Saudite për të ndaluar a...
Aliu: Trafiku ajror në Prishtinë funksionon pa ndërprerje fa...
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...