Kryeprokurori i Shtetit takon ambasadorin Britanik, kërkohet angazhim më i madh i prokurorëve

15:33 | 29 Qershor 2017
L G

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Në këtë takim u bisedua për punët që është duke i bërë Prokurori i Shtetit dhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy sistemeve prokuroriale të dy vendeve, bën të ditur prokuroria përmes një njoftimi për media.

Kryeprokurori Lumezi, ka njoftuar ambasadorin britanik për punët dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Prokurori i Shtetit dhe sistemi prokurorial i Kosovës në përgjithësi. Lumezi po ashtu ka njoftuar ambasadorin  edhe për veprat penale  kundër të drejtës së votimit, si dhe për kanosjet  që kanë cenuar përcaktimin e lirë të votuesve, duke premtuar se do të ndjekjen dhe hetohen te gjithë ata persona që kanë rënë ndesh me ligjin gjatë procesit zgjedhor.

Ai po ashtu ka theksuar se është duke u bërë një punë e mirë nga prokurorët, mirëpo shprehi nevojën e një angazhimi më të madh nga ta në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe dukurive tjera kundërligjore, duke shtuar këtu edhe nevojën për fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftimin sa më të mirë të dukurive të lartcekura.

Në anën tjetër, ambasadori Ruairí O’Connell e ka vlerësuar punën që është duke e bërë Prokurori i Shtetit, duke theksuar se prokurorët duhet të tregojnë rezultate dhe profesionalizëm të lartë gjatë punës së tyre të paraparë me ligj.

Po ashtu, ambasadori O’Connell ka thënë se krimi i organizuar dhe dukuritë tjera kundërligjore duhet të luftohet  fuqishëm dhe i ka premtuar kryeprokurorit Lumezi mbështetjen e vendit të tij në këtë drejtim./Arbëreshin/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme