Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka dhënë detaje lidhur me të shtënat me armë zjarri që ndodhën mbrëmjen e 1 shtatorit në mes familjeve Sekiraqa dhe Gashi (të njohur si Capat), ku një person mbeti i vrarë dhe pesë të tjerë u plagosën.
Kryeprokurori Gashi në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se janë marrë disa kamera tek rrugët e vendit të ngjarjes dhe se janë në fazë të përpunimit të video-incizimeve.
“Mbi bazën e tyre (video-incizimeve) jemi duke bërë përpjekje për të identifikuar që nëse personat që ne i kemi të ndaluar janë duke vrapuar në këtë rast apo është edhe ndonjë person tjetër që ne nuk e kemi brenda të arrestuar”, u shpreh Gashi.
Kryeprokurori i Prishtinës shtoi se janë në fazën fillestare të hetimeve, teksa tha se në momentin që do të identifikohet ndonjë person tjetër i përfshirë në rast do të ndërmerren veprime për arrestim.
“Pesë i kemi të identifikuar deri më tash dhe që të njëjtit janë të ndaluar”, tregoi ai.
Gashi, tha se nuk ka pasur bastisje të tjera, përveç bastsijeve që janë bërë mbrëmjen e të dielës. Këto bastisje, Kryeprokurori kishte konfirmuar një ditë më parë për “Betimi për Drejtësi” se janë kryer në 5-6 lokacione por që nuk ishte gjetur diçka, shkaku se sipas tij, të dyshuarit ishin të përgatitur.
Ndryshe, të hënën Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se rasti dyshohet se ndodhi shkaku i mosmarrëveshjeve që dy grupet kishin mes vete.
Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, ndërsa pesë të plagosurit janë në mbajtje.
Ndërsa, të pyetur nëse është shtuar numri i policëve në QKUK ku po trajtohen të dyshuarit, Policia nuk ka dhënë detaje por thekson se kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme.
“Lidhur me rastin, Policia e Kosovës me njësitë relevante policore ka ndërmarrë të gjitha veprimet e saja si në aspektin e sigurisë, po ashtu edhe në aspektin hetimor, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Të hënën, “Betimi për Drejtësi” raportoi se javën e kaluar, saktësisht më 28 gusht 2024, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Shkumbin Sekiraqës (djali i të dyshuarit për rastin e 1 shtatorit, Salih Sekiraqa), i cili akuzohet për tentim vrasjen e Pajtim Gashit (vëllait të tani të ndjerit Premtim Gashi).
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...