Sot shënohet Java Ndërkombëtare e të Shurdhërve dhe Dita Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të konferencës me rastin e kësaj jave theksoi se personat e shurdhër, përballen me vështirësi të shumta dhe jo rrallë herë jetojnë të izoluar dhe të përjashtuar nga familja dhe shoqëria, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
“Domosdoshmërisë për përkrahje institucionale, për të rritur cilësinë e jetës dhe mirëqenies së personave me aftësi të kufizuar, i jemi përgjigjur duke funksionalizuar Këshillin për personat me aftësi të kufizuar, dhe duke miratuar Planin e Veprimit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës (2021-2023)”, tha ai, shkruan arbresh.info.
Konferenca e sotme është organizuar nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit-Zyrën për Qeverisje të Mirë.
Shënimi i 23 shtatorit si Ditë Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave vjen nga Rezoluta A/RES/72/161 e Kombeve të Bashkuara e miratuar në vitin 2017.
Gjuha e Shenjave Kosovare, e njohur edhe si GJSHK, është një gjuhë natyrore e komunitetit të shurdhër të Kosovës. Qeveria e Kosovës e ka njohur gjuhën e shenjave kosovare më 29 shtator 2010. Është vlerësuar se gjuha e shenjave kosovare është gjuha amtare/gjuha e parë për 5 000 njerëz të shurdhër në Kosovë.
Gjuha e Shenjave Kosovare përdoret edhe nga personat gjysmë të shurdhër ose edhe nga personat që dëgjojnë, për shembull, anëtarët e familjes së personave të shurdhër, miqtë, bashkëpunëtorët, interpretët e gjuhës së shenjave dhe entuziastët e gjuhëve të tjera.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari kryetar i Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve, z. Parduzi
I nderuari Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, z. Hajredini
I nderuari anëtar i Bordit të Federatës Botërore të të Shurdhërve, z. Rojba
I nderuari Kryetar i Forumit të Aftësisë së Kufizuar, z. Kadriu,
I nderuari Drejtor i Organizatës Handikos, z. Maliqi
Zonja dhe zotërinj,
Mirë se keni ardhur në këtë konferencë të organizuar me rastin e Javës Ndërkombëtare të personave të shurdhër, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave, me sloganin: “Me shenjë për të drejtat e njeriut”.
Sikurse që po takohemi sot së bashku, në një ditë të shënuar si kjo, është e domosdoshme që ditë për ditë, pareshtur, të punojmë dhe angazhohemi së bashku.
Në fillim të marrjes së mandatit tim si kryeministër i vendit, ne jemi takuar dhe kemi biseduar për brengat dhe shqetësimet tuaja, për sfidat dhe mangësitë.
Personat e shurdhër, përballen me vështirësi të shumta dhe jo rrallë herë jetojnë të izoluar dhe të përjashtuar nga familja dhe shoqëria.
Me Programin tonë qeverisës jemi zotuar të punojmë për një shoqëri me gjithëpërfshirje dhe me mundësi për të gjithë. Këtë do ta arrijmë duke promovuar dhe respektuar diversitetin dhe barazinë, si dhe nëpërmjet garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të personave me nevoja të veçanta.
Domosdoshmërisë për përkrahje institucionale, për të rritur cilësinë e jetës dhe mirëqenies së personave me aftësi të kufizuar, i jemi përgjigjur duke funksionalizuar Këshillin për personat me aftësi të kufizuar, dhe duke miratuar Planin e Veprimit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës (2021-2023).
I karakterizuar nga qasja gjithëpërfshirëse, duke respektuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, të garantuara me legjislacion vendor dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përmes këtij plani synojmë:
⦁ Përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore
⦁ Ofrimi i mundësive të barabarta për punësim
⦁ Krijimin e kushteve për gjithëpërfshirje në arsim dhe për mbështetje profesionale
⦁ Krijimin e infrastrukturës ligjore për respektimin dhe përmbushjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
Prandaj, sot rikonfirmoj se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim gjinie e moshe, pa dallim përkatësie e aftësie.
Për qeverinë tonë, drejtësia sociale, që nuk përjashton askënd, nuk është një qëllim anësor, por thelbi i qeverisjes.
Barazia është ndër vlerat themelore rreth të cilave duhet të bashkohemi të gjithë, si individë, si institucione e organizata, si shtet e si shoqëri.
Afirmimi i këtyre vlerave është interes i yni si vend dhe neve na duhet angazhim i përbashkët për maksimizim të këtyre përpjekjeve. /arbresh.info/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...